Arrestohen 3 punonjës të policisë, dyshohen edhe 2 kosovarë, në grabitjen e artarisë në Gostivar

nga D. V.

3 punonjës të policisë së Kërçovës u arrestuan për grabitjen si në filma të artarisë në Gostivar, 2 javë më parë. Përveç tyre, në vjedhjen e 18 kg ar në vlerë prej 1,8 milionë euro siç mëson Alsat janë të përfshirë edhe dy persona nga Kosova.

“Vetëm dy javë pasi u grabit artaria prapa meje këtu në Gostivar, SPB e Tetovës ka arritur të vë në pranga tre persona nga qyteti i Kërçovës. Fjala është për tre persona që janë të angazhuar në policinë e Kërçovës. Në këtë rast nuk janë të involvuar vetëm këta persona, por, sipas informatave të televizionit Alsat, pjesë e ekipit, kanë qenë edhe dy persona nga Kosova”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Sektorin i Punëve të Brendshme njoftoi se për grabitjen në artarinë e Gostivarit dy javë më parë, gjatë ditës së djeshme, janë arrestuar personat, A.Sh 33 vjeçar, A.P 37 vjeçar dhe V.E 30 vjeçar. Po ashtu, është kryer edhe bastisje në shtëpinë e personit E.E 56 vjeçar, gjatë së cilës, janë gjetur armë dhe gjëra me vlerë. Të gjithë dyshohen për grabitjen spektakolare të artarisë në Gostivar, ku u vodhën 18 kg ar në vlerë prej 1.8 milionë euro.

Kanë reaguar edhe nga Shoqata Rajonale e Zejtarëve. Kërkojnë prani të rregullt të policisë nëpër rrugët e Gostivarit, me qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë si për banorët po ashtu edhe për zejtarët.

“Ne zejtarët e Gostivarit, u habitëm që ndodhi kjo, në mes të ditës kur pati shumë lëvizje. Policia duhet të ketë kontrolle më të shpeshta që ne zejtarët të jemi më të sigurt. Në kohën e komunizmit dy policë kishte dhe krejt në këmbë ishin, tani se di sa policë ka por nuk ka kontroll si duhet. Policia duhet të jenë më në kontroll të jenë në lëvizje, sepse s`jemi të sigurt më, turp është kjo në kohën më të mbushur me njerëz ndodh diçka si në Teksas. Shteti duhet të merr masa të ketë policë në çdo rrugë, ta kenë në kontroll para se të ndodhin rastet”, deklaroi Lulzmi Osmani, Kryetar i Shoqatës rajonale të zejtarëve.

Ndryshe, më 10 tetor, rreth orës 19:00, tre persona të armatosur dhe me maska në fytyrë, fillimisht bllokuan rrugën në Sheshin e Gostivarit, me makinën e tipit BMV, pas çka me forcë dhe nën kërcënimin e armëve, nga kjo artari në Gostivar, vodhën 18 kilogram ar. Personat e armatosur, pas kryerjes së grabitjes, u drejtuan për në Mavrovë, duke lëvizur me makinë, në një rrugë dytësore, kah fshati Mirditë.

Vetura me të cilën u krye grabitja, disa minuta më vonë, u gjet, 500 metra larg udhëkryqit për në Mavrovë, e përfshirë në flakë. E njëjta u mor për hetim nga ana e prokurorisë, ndërsa në të u gjet edhe një armë e tipit kallashnikov.

Në këtë ngjarje nuk pati viktima apo të lënduar, ndërsa dëmi material u llogarit rreth 1.8 milion euro, dëm ky, që bëri që artaria në Gostivar, edhe sot e kësaj dite të jetë e mbyllur. /Alsat.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More