Policia e Kosovës është në kërkim të politikanit serb Aleksandër Arsenijeviq nën dyshimin për armatimin e gjetur në Zveçan, më 22.06.2025.
Ky i fundit ka deklaruar se nuk është në dijeni se po kërkohet nga organet e rendit.
Lidhur me këtë Veton Elshani, Zëvëndësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri, tha për KALLXO.com që sipas informatave që Policia posedon Arsinijeviq gjendet jashtë Kosovës.
“Një person është me interes për neve me u intervistu. Ai njeri është Arsenijeviq”, u shpreh Elshani sot.
Kurse, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka deklaruar të hënën se Arsenijeviq do të arrestohet sapo të ndodhet në Kosovë.
“Ai nuk ndodhet në Kosovë. Organet e ndjekjes janë në kërkim. Është i kërkuar. Në momentin që vjen në territorin e Republikës së Kosovës do të ndalet dhe do të arrestohet” – tha Sveçla para mediave.
Ndër të tjera, ai tha se tri prona të Arsenijeviqit janë bastisur gjatë aksionit të djeshëm.
“Sipas informatave që më janë dhënë tri prona të tij janë bastisë dje. Ndër të tjera janë gjetë pajisje edhe për kriptovaluta, një jelek antiplumb dhe disa gjëra të tjera minore, por që tregon se ai ka qenë i kyçur në krim për një kohë të gjatë”, përfundoi Sveçla.
Në anën tjetër, Aleksandër Arsenijeviq tha për KALLXO.com se nuk është në dijeni që është në kërkim nga forcat e rendit.
“Mundem vetëm të hamendësoj, por tash po dëgjoj prej juve. Unë tash jam me familje, në një udhëtim te familjarët e mi. Por, kur të kthehem me shumë dëshirë isha lajmëruar nëse procesi kishte me qenë i drejtë, ashtu qysh duhet me qenë. Nuk kam çka të fsheh. Mund të kërkoj edhe ekspertizë të FBI-së, hetim me të gjithë faktorët relevant. Po ashtu mundem të hyj edhe në poligraf, sepse unë jam i sigurt që ajo që ka ndodhë aty nuk ka kurrfarë lidhje me mua”, tha Arsenijeviq, duke shtuar se “nuk kisha me qenë aq budalla që t’i bëjë vetes diçka të tillë”./Kallxo/
