Bashkimi Evropian po përballet me presion të madh për të kaluar nga një aktor humanitar në një faktor politik në Lindjen e Mesme, pas marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për Gazën, sipas “Reuters”.
Brukseli po përpiqet të fitojë një rol më të dukshëm në rindërtimin dhe qeverisjen e rajonit, ndërsa SHBA-ja mban ndikimin kryesor.
Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur gatishmëri për të përfshirë BE-në në fazën e pasluftës, jo vetëm përmes ndihmave financiare, por edhe përmes strukturave të qeverisjes dhe sigurisë.
Zyrtarët e BE-së thonë se kjo është koha që Europa të kalojë nga “pagues në aktor politik.”
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e quajti situatën në Gaza “jashtëzakonisht komplekse”, por theksoi se pa një rol të fortë të Europës, çdo përpjekje për paqe do të mbetet e brishtë.
“Ne duam të kontribuojmë plotësisht në zbatimin e planit të paqes”, deklaroi ajo.
Plani 20-pikësh i paqes, i nënshkruar në Egjipt nga SHBA,-ja, Katari, Egjipti dhe Turqia, ka marrë mbështetjen e liderëve evropianë. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha se BE është e gatshme të ndihmojë në rindërtimin e Gazës sapo të krijohen kushtet.
Rindërtimi pritet të jetë një nga më të shtrenjtët në historinë e rajonit, me mbi 55 milion ton rrënoja që duhen pastruar dhe një kosto që mund të arrijë 17 miliardë euro në tre vitet e ardhshme. BE ka premtuar tashmë mbi 550 milionë euro dhe planifikon fonde shtesë deri në 1,6 miliardë euro deri në vitin 2027.
Misioni “EUBAM Rafah”, që përfshin oficerë nga Italia, Spanja dhe Franca, është vendosur disa herë që nga viti 2005, por është pezulluar çdo herë për shkak të pasigurisë politike në Gaza.
Italia dhe Gjermania kanë shprehur gatishmëri për ta rifilluar nën kushte të reja sigurie.
Ndërkohë, disa shtete anëtare si Spanja kanë sinjalizuar mundësinë e dërgimit të trupave për të monitoruar armëpushimin, ndërsa Franca ka premtuar rritje të trajnimeve për policinë palestineze, por jo pjesëmarrje në forcat e stabilizimit.
Në qendër të debatit mbetet roli i Hamasit në të ardhmen e Gazës. BE, në përputhje me qëndrimin e SHBA-së dhe Izraelit, deklaron se grupi militant nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverinë e ardhshme. Sipas Ministrit të Jashtëm gjerman Johann Wadephul, “detyra e palestinezëve është të shkëputen përfundimisht nga kjo organizatë”.
Për BE-në, e cila ka qenë donatori kryesor i palestinezëve për dekada, kjo është një mundësi për të kaluar nga një rol pasiv në një strategji të re gjeopolitike. Siç tha von der Leyen: “Europa nuk duhet të jetë vetëm një mbështetëse financiare , por pjesë e vendimmarrjes për paqen”.
