Shkup, 17 korrik – Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, Sanja Bozhinovska ka marrë pjesë në Këshillin ministror joformal të Komunitetit të Energjisë, i cili u zhvillua në Athinë.
Kjo ngjarje e rëndësishme, e mbajtur me rastin e 20 vjetorit të formimit të Komunitetit të Energjisë, mblodhi ministra nga vendet-anëtare për të biseduar për hapat kyçe drejt integrimit të plotë të tregjeve të energjisë elektrike mes Bashkimit Evropian dhe Palëve Kontraktuese, njoftoi Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para.
Ministrja Bozhinovska mbajti fjalim në të cilin theksoi angazhimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj vizionit të përbashkët për një të ardhme energjetike më të integruar, më të pastër dhe më të sigurt. Në fokus të diskutimeve ishte përshpejtimi i integrimit të tregut, që do të mbështesë pështatjen ndaj klimës dhe do të forcojë sigurinë energjetike të rajonit. Ministrja prezantoi arritjet e Maqedonisë së Veriut, përfshirë emërimin e MEMO-s si Operator i Tregut të Energjisë Elektrike të Nominuar (NEMO) në qershor të vitit 2025, si dhe progresin në miratimin e legjislacionit dhe bashkëpunimin me ACER, ENTSO-E dhe partnerët rajonalë.

Përveç integrimit të tregut, në Këshill u bisedua për reformat mjedisore dhe objektivat klimatike. Ministrja theksoi se Maqedonia e Veriut, me mbështetjen e Komunitetit të Energjisë, po punon në mënyrë aktive në zbatimin e direktivave evropiane për vlerësimin e ndikimit në mjedisin jetësor, cilësinë e ajrit, kontrollin e emetimeve nga impiantet e mëdha të djegies dhe planifikimin strategjik mjedisor. Këto masa kontribuojnë në një mjedis më të pastër, komunitete më të shëndetshme dhe stabilitet afatgjatë të energjisë.
Njëzetvjetori i Komunitetit të Energjisë ishte një mundësi për të njohur sukseset e arritura deri më tani dhe për të riafirmuar angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm. Ministrja Bozhinovska shprehu mirënjohje për rolin kyç të Komunitetit të Energjisë në mbështetjen e reformave dhe integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt standardeve evropiane, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për arritjen e qëllimeve të dekabronizimit dhe neutralitetit klimatik, duke nënvizuar se vendi mbetet i përkushtuar ndaj vizionit për një Evropë energjetikisht të integruar dhe të qëndrueshme.
