Disa ditë pasi Belgjika njoftoi se do të vendoste sanksione kundër Izraelit dhe do të njihte Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, këtë muaj – organizatorët thanë se protestat janë rezultat i presionit publik, sipas “Euronews”.
Dhjetëra mijëra demonstrues të veshur me të kuqe u mblodhën dje në Bruksel – për të protestuar kundër qeverisë izraelite dhe për të tërhequr një vijë të kuqe simbolike kundër luftës së saj në Gazë.
Protestuesit gjithashtu po u bëjnë thirrje shteteve anëtare të BE-së të mbajnë një qëndrim më të ashpër dhe të vendosin sanksione të forta kundër Izraelit.
Policia lokale vlerësoi se rreth 70 000 demonstrues morën pjesë në protestën e dytë të marshimit “Vija e Kuqe për Gazën” në Bruksel, por organizatorët e protestës vlerësojnë se 110 000 njerëz morën pjesë gjatë marshimit në të gjithë kryeqytetin belg, i cili ishte 3,5 kilometra i gjatë.
Më shumë se 200 grupe të të drejtave të njeriut dhe agjenci ndihme, përfshirë “Oxfam”, “Mjekët pa Kufij”, “Amnesty International”, “Greenpeace”, “Save the Children” dhe të tjerë, morën pjesë dhe po tërheqin vijën e kuqe.
Protesta vjen disa ditë pasi Belgjika njoftoi se do t’i bashkohej Britanisë së Madhe dhe Francës në njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj dhe do të vendoste sanksione kundër Izraelit, në kushte të caktuara.
“Kompromisi që arriti qeveria nuk do të kishte ekzistuar kurrë nëse nuk do të kishim zhvilluar marshimin e mëparshëm dhe nuk do të kishim nisur fushatën “Fol për Palestinën”, tani me 100,000 nënshkrime”, tha për Katrien Van der Heyden, udhëheqëse e ekipit të arsimit në Oxfam Belgium, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së presionit publik mbi politikanët e BE-së.
Organizata “Oxfam Belgium” ka mbledhur 100 000 nënshkrime që kërkojnë një armëpushim të përhershëm dhe fundin e dhunës dhe pushtimit të paligjshëm në territoret palestineze, qasje të sigurt dhe të pakufizuar në ndihmën humanitare për civilët palestinezë dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Izraelit.
Ndërsa shumë demonstrues në Bruksel e pranuan se ky është një hap përpara, ata nuk janë të kënaqur me kompromisin e arritur dhe duan ta shohin Belgjikën të ashpërsojë më tej qëndrimin e saj kundër Izraelit, me sanksione pa kompromis, dhe që shtetet anëtare të BE-së dhe vetë Bashkimi Evropian të ndjekin shembullin.