Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi konferencë ndërkombëtare me temë: “Shëndeti mendor në institucionet e privimit të lirisë: Roli i MKP-ve në mbrojtjen e të drejtave si dhe sigurimin e mbikëqyrjes efektive”, raporton Ekonomia Online.
Ngjarja mblodhi përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor në institucionet e mbyllura dhe parandalimin e keqtrajtimit.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës në Kosovë funksionon në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe se përmes vizitave të pandërprera e të paparapara në institucione të privimit nga liria, po kontribuohet drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për personat e ndaluar dhe stafin që punon me ta.
Ai vlerësoi se Kosova, përkundër sfidave, ka arritur të krijojë një model pozitiv dhe efektiv në këtë fushë.
“Përveç mbikëqyrjes së situatës dhe gjendjes së personave që ndodhen në paraburgim, burgim dhe ndalim të pavullnetshëm, mekanizmi ndihmon në identifikimin e sfidave, me të cilat ballafaqohet vetë sistemi që trajton këta persona, duke dhënë një kontribut të veçantë edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve. Në përgjithësi mund të them që Kosova mund të konsiderohet edhe një shembull suksesi për arsye se ka ekzistuar një bashkëveprim ndërinstitucional mes aktorëve kryesorë të shtetit për trajtimin e personave me çrregullim mendor që janë në ndalim”, tha Qelaj.
Zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankut Soykan, tha se shëndeti mendor në burgje është shpeshherë aspekt i neglizhuar dhe se privimi nga liria nuk është thjesht çështje e mbylljes së dikujt.
“Fatkeqësisht, teksa jemi mbledhur këtu sot, miliona njerëz në mbarë botën ndodhen në burgje dhe disa prej tyre vuajnë në kushte çnjerëzore, përfshirë mbipopullimin, mungesën e higjienës dhe kujdesit shëndetësor të paedukuar, veçanërisht përkujdesjen për shëndetin mendor. Privimi nga liria është një çështje shumë komplekse që ngre pyetje themelore rreth të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe sundimit të ligjit”, tha ai.
Soykan theksoi se neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut garanton të drejtën absolute për të mos u nënshtruar torturës dhe keqtrajtimit dhe kjo përfshin edhe përgjegjësinë për të garantuar kujdes të duhur shëndetësor për personat në burgje, përfshirë edhe aspektin mendor.
“Megjithatë, ekziston një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i privimit nga liria që duhet ta trajtojmë e që fatkeqësisht shpesh anashkalohet: shëndeti mendor në burgje. Të gjitha institucionet e mbyllura mund të kenë ndikim shkatërrues në shëndetin mendor, sidomos për ata që janë tashmë të cenueshëm. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta bëjmë prioritet shëndetin mendor në burgje,” shtoi ai.
Ndërsa, eksperti i Komitetit për Parandalim të Torturës të Këshillit të Evropës, Petr Hnatik, foli për përvojën e CPT-së në vizitat në vendet e privimit nga liria në shtete të ndryshme dhe problemet që lidhen me ndërprerjen e kujdesit mjekësor gjatë ndalimit policor.
“Ajo që ne shohim nganjëherë është se furnizimi me medikamente dhe jam duke folur në mënyrë të veçantë për trajtimin me metadon, për shembull, apo për medikamentet psikotrope, ndërpritet papritmas në momentin kur personat arrestohen nga policia dhe vendosen në paraburgim policor, gjë që është e papranueshme”, tha Hnatik.
Ai shtoi se në shumë raste, në vend se të ofrohet ndihmë mjekësore, personat me probleme të shëndetit mendor prangosen për objekte të fiksuara, çka është e dënueshme dhe e papërshtatshme.
“Policët duhet të jenë të trajnuar si të reagojnë kur kanë të bëjnë me persona që kanë shqetësime mendore. Në vend të prangave, duhet kërkuar ndihma mjekësore dhe kur është e nevojshme personi të transferohet në një institucion të përshtatshëm shëndetësor,” tha ai.