Gjykata Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje Dusan Gavraniq, Zoran Sarac dhe Zarko Cvetanociq që të paraqiten ose të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjykata ka njoftuar se tashmë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar për tre të lartpërmendurit, të cilët akuzohen për veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile në Kosovë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik dhe të gjitha mediat se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.112/24, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS. nr.93/2024 e datës 30.12.2024, kundër të pandehurve DUŠAN GAVRANIČ, ZORAN ŠARAC dhe ŽARKO CVETANOVIČ, për shkak të veprës penale Krimet e Luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykimi do të zhvillohet në mungesë.
“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës. Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve Dušan Gavranič, Zoran Šarac dhe Žarko Cvetanovič, që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim.
Po ashtu është bërë thirrje që të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendosjen e të akuzuarve të njoftojnë policinë.
“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente. Njoftohen të pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D , Kati I, salla nr.27, me datë 22.12.2025 nga ora 13:15, nga Kryetari i Trupit Gjykues Leon Përlaska. Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në ëeb – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në njoftim.
