Në takimin e 24-të të këshillit të kryetarëve qeveritarë të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (O.B.SH), kryeministri i Kinës Li Qiang, në fjalimin e tij, bëri thirrje që O.B.SH të zbatojë aktivisht Nismën Globale të Qeverisjes, të rrisë fuqinë e bashkimit, veprimit dhe ndikimit, si dhe të ndërtojë në vazhdimësi një O.B.SH më të mirë dhe më të fortë. Palët pjesëmarrëse ishin të mendimit se duhet të zbatojnë së bashku rezultatet e Samitit të Tianjinit, të praktikojnë Nismën Globale të Qeverisjes dhe të nxisin O.B.SH në luajtjen e një roli më të madh në qeverisjen globale.
Në takim, pala kineze propozoi tre sugjerime: shfrytëzimin e avantazheve unike të O.B.SH-së; fokusimin tek dy fushat kryesore si zhvillimi dhe siguria; si dhe nxitjen e një energjie të fortë në inovacion dhe transformim.
Falë zhvillimit të vazhdueshëm dhe rritjes së saj, roli ndërtues i O.B.SH-së në çështjet ndërkombëtare është forcuar gjithnjë e më shumë, duke ndjekur një rrugë të re të bashkëjetesës në harmoni, mbështetjes reciproke dhe përfitimeve të ndërsjella, për të vendosur një model për përmirësimin e qeverisjes globale. Nga betejat shumëpalëshe kundër “tre forcave”, në fillimin e bashkëndërtimit të nismës “Një brez, një rrugë”, deri tek bashkëpunimi i gjerë në tregti, investime, energjetikë, ekonomi digjitale, bujqësi moderne apo zhvillim të gjelbër, O.B.SH jo vetëm ka krijuar hapësirë të qëndrueshme dhe mundësi të pasura bashkëpunimi për vendet anëtare, por është bërë edhe një fuqi e rëndësishme konstruktive për nxitjen e multi-polarizimit të botës dhe globalizimit ekonomik.
Si një nga vendet kryesore themeluese të organizatës, Kina gjithmonë e ka lidhur zhvillimin e saj me progresin dhe rilindjen e familjes së madhe të O.B.SH-së. Të dhënat tregojnë se në vitin 2024, vëllimi i tregtisë së Kinës me vendet e tjera anëtare, vendet vëzhguese dhe partnerët për dialog, ishte rreth 890.3 miliardë dollarë, duke përbërë 14.4% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Deri në korrik të këtij viti, investimet e Kinës në vendet e tjera anëtare të O.B.SH-së tejkaluan 84 miliardë dollarë.
Ndërkohë, pala kineze vazhdon të zhvillojë bashkëpunime në të gjitha fushat e O.B.SH-së, përfshirë përshpejtimin e ndërtimit të katër qendrave të sigurisë, si qendra të përbashkëta për të përballuar kërcënimet dhe sfidat e sigurisë, avancimin e themelimit të Bankës së Zhvillimit të O.B.SH-së, shfrytëzimin efikas të gjashtë platformave të bashkëpunimit praktik, të propozuara në Samitin e Tianjinit, si edhe krijimin e Qendrës së Bashkëpunimit Kinë-O.B.SH për Sëmundjet Metabolike. Këto masa do të ndihmojnë O.B.SH-në të thellojë më tej bashkëpunimet në fushat e sigurisë, zhvillimit dhe mirëqenies sociale, duke ndërtuar një komunitet më të ngushtë me një të ardhme të përbashkët për O.B.SH-së
