Nga data 1 nëntor hyn në fuqi çmimi i ri i energjisë për karikimin e makinave elektrike në pikat e dedikuara të karikimit të shpejtë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besian Kadiu, në një intervistë për Klan News, sqaroi se ndryshimi nuk prek konsumatorët e zakonshëm, por vetëm një kategori të caktuar klientësh, të lidhur me rrjetin elektrik me fuqi 11 kilovat.
“Me një vendim të Entit Rregullator të Energjisë janë përcaktuar çmimet e reja të furnizimit me energji për një grup klientësh, që janë të lidhur me një fuqi 11 kilovat. Çmimi i përcaktuar është 22 lekë për kilovat orë dhe në periudhën e pikut 25.3 lekë”, shpjegoi Kadiu.
Zëvendësministri theksoi se “nuk ka rritje të çmimit të energjisë në përgjithësi”, por një rishikim për një grup të kufizuar klientësh që përdorin rrjetin për karikim të shpejtë të mjeteve elektrike.
“Ata që e karikojnë makinën në shtëpi do të vazhdojnë të paguajnë sipas grupit të konsumit që i përkasin, 8.5 deri në 9.5 lekë për kilovat orë”, – tha Kadiu.
Sipas zv ministrit, arsyeja kryesore e vendimit lidhet me ndikimin që pajisjet e karikimit të shpejtë kanë në rrjetin elektrik.
“Këto pajisje kërkojnë fuqi më të madhe, pra marrin më shumë energji nga rrjeti dhe përdoren për karikimin e shpejtë të automjeteve. Numri i tyre është rritur dhe kjo ka sjellë disbalancë në rrjet, sidomos gjatë orëve të pikut”, sqaroi ai.
Kadiu theksoi se klientët që karikojnë automjetet në kushte shtëpiake nuk do të preken nga çmimi i ri.
“Mund të mos preket asnjë klient, sepse secili mund të zgjedhë të bëjë karikimin në shtëpi, në nivel më të ulët fuqie”, shtoi ai.
Zëvendësministri njoftoi gjithashtu se OSHEE do të hyjë shumë shpejt në tregun e karikimit të shpejtë të automjeteve elektrike, përmes një aktiviteti të ri nën emrin OSHEE Charging.
“Së shpejti do të kemi një pjesëmarrës të ri në tregun e karikimit të shpejtë të automjeteve, OSHEE Charging, aktivitet që do i shtohet kompanisë publike OSHEE”, deklaroi Kadiu.
Sa i përket taksive elektrike, ai sqaroi se operatorët do të kenë mundësi të zgjedhin mes karikimit normal me çmime ekzistuese apo karikimit të shpejtë me kosto më të lartë, por ende më lirë se në tregjet europiane.
“Taksitë mund të bëjnë karikim me çmimin aktual 14 lekë për kilovat, ose të zgjedhin karikimin e shpejtë dhe të paguajnë shtesën për shërbimin që marrin nga rrjeti”, u shpreh Kadiu.
Zëvendësministri theksoi se tregu i karikimit të mjeteve elektrike do jetë tepër dinamik, me çmime që luhaten sipas orarit dhe nivelit të shërbimit.
