Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, zhvilloi sot një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, para konsultimeve mes liderëve të BE-së për përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për paqen në Ukrainë.
Costa shkroi në X se biseda me Zelenskyn kishte për qëllim “të merrte vlerësimin e tij për situatën.” Ai shtoi se “një qëndrim i bashkuar dhe i koordinuar i BE-së është kyç për të siguruar një rezultat të mirë të negociatave për paqe për Ukrainën dhe për Evropën”.
Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë përgatitur një kornizë të rishikuar paqeje pas bisedimeve të së djeshme në Gjenevë. Të dyja palët ranë dakord të punojnë intensivisht për propozimin e përbashkët në ditët në vijim dhe të mbajnë koordinim të ngushtë me partnerët evropianë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Ukraina po merr pjesë në hartimin e qëndrimit të përbashkët të BE-së në baza të barabarta. E vlerësojmë këtë respekt”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale. Ai tha se e kishte informuar Costën për negociatat në Gjenevë dhe për prioritetet kryesore.
“Ne po punojmë me mirëbesim për të arritur paqen për Evropën”, shtoi ai.
Javën e kaluar, administrata amerikane i paraqiti Kievit një plan me 28 pika për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Plani thuhej se bazohej kryesisht në pozicionet ruse, gjë që shkaktoi kritika nga aleatët evropianë të Ukrainës.
