Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka paraqitur padi në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kërkuar shfuqizimin e paragrafëve 2, 3 dhe 4 të Nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.05/2015, që rregullon procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Sipas CSL-së, këto dispozita cenojnë të drejtat e rreth 180 mijë pensionistëve, pasi parashohin ndërprerjen e pagesave për ata që nuk janë lajmëruar me kohë në Zyrat Rajonale të Pensioneve, pa ua mundësuar kompensimin retroaktiv për periudhën e ndërprerjes. Organizata vlerëson se kufizime të tilla nuk janë të parapara me ligj dhe përbëjnë tejkalim të autorizimeve të përcaktuara në nenin 24 të Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
CSL pret që Gjykata Supreme ta aprovojë padinë dhe të shfuqizojë dispozitat e kontestuara, duke vendosur një praktikë që aktet nënligjore të mos cenojnë të drejtat e qytetarëve, veçanërisht të kategorive të ndjeshme si pensionistët.
