Për “Panorama Sport”, ka folur sulmuesi i kuqezinjve, Mirlind Daku i cili u shpreh se Shqipëria sheh veç nga ndeshja e radhës, duke e cilësuar njëkohësisht fitoren në Serbi si më të rëndësishmen në karrierë.
Pesë fitore, dy barazime në shtatë ndeshjet e fundit. Si e sheh ecurinë e Kombëtares në këtë periudhë?
Mendoj se vetë rezultatet tregojnë qartë punën që po bëjmë. Kemi kaluar një periudhë të mirë, me përkushtim dhe sakrifica, dhe kjo po reflektohet në fushë. Shpresoj që të vazhdojmë në të njëjtin ritëm edhe në dy ndeshjet e fundit, që ta mbyllim këtë cikël sa më bukur dhe t’i bëjmë të gjithë shqiptarët krenarë.
Si e përjetove personalisht fitoren kundër Serbisë?
Për mua është fitorja më e madhe në karrierën time. Duke marrë parasysh gjithçka, rrethanat, historinë e gjithçka tjetër, e konsideroj si fitoren më të bukur dhe të veçantë.
Kosova ecën në një rrugë të ngjashme me Shqipërinë. Mendon se është gati për në play-off?
Po, mendoj se Kosova e meriton plotësisht të jetë në garë për play-off. Uroj me gjithë zemër që ta realizojë këtë ëndërr, sepse do të ishte një arritje historike. Do të ishte fantastike që si Shqipëria ashtu edhe Kosova të ishin në një Kampionat Botëror.
