Dogana e Maqedonisë ka publikuar një raport me disa raste të kontrabandës të zbuluara gjatë javës së fundit në pikat kufitare Bllacë, Tabanoc, Bogorodicë dhe Novo Sello. Në operacionet e zhvilluara nga shërbimet doganore dhe ekipet mobile janë konfiskuar pothuajse 3 mijë copë mallra të ndryshme, përfshirë pije alkoolike, cigare elektronike, rroba me marka të mbrojtura tregtare, pjesë veturash dhe mobilie, të gjetura në makina, autobusë dhe kamionë. Kundër autorëve janë hapur procedura përkatëse.
Në pikën kufitare Bllacë, janë sekuestruar mbi 700 copë mallra të ndryshme, mes tyre lodra, parfume, kozmetikë dhe mobilie.
Në një furgon të drejtuar nga një shtetas maqedonas, u gjetën 600 copë mallra, kryesisht lodra, të fshehura në ndarje të fabrikuara të automjetit.
Në një rast tjetër, doganierët zbuluan 143 copë parfume dhe kozmetikë të fshehura nën tapetat e pasme dhe në bagazhin e një makine të drejtuar nga një shtetas maqedonas.
Në një kamion që ishte deklaruar si bosh në hyrje të vendit, pas kontrollit u gjetën tre sete mobiliesh.
Në pikën kufitare Tabanoc, gjatë ditëve të fundit janë sekuestruar në tri raste të ndara:
• 26 shishe pije alkoolike me vlerë rreth 30 mijë denarë, të fshehura në një makinë me targa gjermane, për të shmangur pagesën e rreth 7 mijë denarëve detyrime doganore;
• 209 cigare elektronike, të gjetura në dy çanta të një pasagjeri që udhëtonte me autobus nga Brukseli për në Shkup;
• Një pajisje për auto-diagnostikë, e zbuluar në një automjet me targa të përkohshme gjermane.
Në një rast tjetër, shërbimi mobil i skanerit zbuloi dhe ndaloi kontrabandimin e tetë seteve pompash uji dhe ajri me panele diellore, të destinuara për fontana dhe akuariume.
Në pikën kufitare Bogorodicë, gjatë kontrollit të mallrave në tranzit, ekipet mobile sekuestruan 1.200 kontrollorë pa tela për Sony PlayStation dhe 650 copë veshje me logo të markave të mbrojtura tregtare. Mallrat janë konfiskuar për shkak të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në pikën kufitare Novo Sello, doganierët konfiskuan pjesë automjetesh të gjetura në një makinë të drejtuar nga një shtetas maqedonas. Kundër tij është hapur procedurë ligjore.
