Karxhali, 18 shtator – Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira në minierat dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe standardeve mjedisore me qëllim marrjen e zgjidhjeve të zbatueshme për Maqedoninë e Veriut, është qëllimi i vizitës së ekspertëve në minierën e arit “Ada Tepe”, në pronësi të kompanisë kanadeze “Dundee Precious Metals”, e vendosur në komunën Krumovgrad, në qarkun Karxhal të Republikës së Bullgarisë.
Miniera, siç raporton gazetari i MIA-s, konsiderohet si një shembull i minierave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit, zbaton standardet më të rrepta mjedisore të BE-së dhe ndihmon zhvillimin e komunitetit dhe bizneseve lokale. Në të njëjtën kohë, 98 për qind e të punësuarve janë nga popullsia lokale.
“Kjo minierë njihet në Evropë si një nga komplekset më miqësore ndaj mjedisit në rajon dhe përdor pajisjet dhe teknologjitë më të sofistikuara për menaxhimin e ujit dhe mbeturinave, duke minimizuar ndikimin në mjedis, madje edhe në zonat e mbrojtura NATURA 2000. Ne duam të mësojmë nga përvojat që janë provuar tashmë – se si kompania bashkëpunon në mënyrë të përgjegjshme me komunitetin lokal, investon në zhvillimin e biznesit dhe infrastrukturën, dhe krijon përfitime për njerëzit dhe ekonominë, dhe se si bashkëpunimi i bazuar në ligje, kushte dhe rregulla të forta mund të jetë baza për një sektor të qëndrueshëm. Maqedonia është e vendosur të parashikojë të gjitha rregullat evropiane në strategjitë dhe politikat e ardhshme në mënyrë që të sigurojë që çdo zhvillim në sektor do të jetë i qëndrueshëm, përgjegjës për mjedisin dhe në interes të komuniteteve lokale dhe qytetarëve”, tha Filip Petrovski, këshilltar shtetëror për miniera në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, pas një vizite në minierën “Ada Tepe”.
Miniera filloi të funksionojë në vitin 2019 në një zonë të mbrojtur që është përfshirë në rrjetin ekologjik Natura 2000. Gjatë fazës së përgatitjes dhe miratimit, u organizuan seanca dëgjimore publike me banorët e Krumovgradit dhe fshatrave përreth dhe u krijuan mekanizma për komunikim me popullsinë përmes takimeve informuese, ditëve të hapura dhe programeve për të mbështetur zhvillimin lokal.

Ky model përfshirjeje ka kontribuar në sigurimin e një besimi dhe pranimi më të lartë të projektit dhe në largimin e shqetësimeve të qytetarëve, të cilët fillimisht nuk e pranuan një minierë në zonën e tyre. Konkretisht, miniera ndodhet vetëm 3 km në jug të Krumovgradit dhe përdor një qasje inovative për menaxhimin e mbetjeve minerare që përfshin bonifikimin progresiv të tokës, pra restaurimin e tokës gjatë shfrytëzimit të saj.
Autoritetet e minierës deklaruan se sipas planit për mbylljen e saj, ata do të ndërpresin shfrytëzimin deri në mars të vitit të ardhshëm, por kjo nuk do të thotë se po largohen plotësisht. Detyrimi i tyre për të rikultivuar zonën e gërmimit të minierës vazhdon, ku do të mbillen lloje pemësh autoktone dhe do të ndërtohet një qendër sportive dhe turistike dhe një vend kampingu. Pas çmontimit të mekanizimit, si dhe disa prej objekteve të ndërtuara për nevojat e minierës, kompania kanadeze do t’ia dhurojë tokën që e kishte blerë më parë nga shteti komunës së Krumovgradit.

Delegacioni nga Maqedonia, si pjesë e programit intensiv, do të takohet sot me kryetaren e Bashkisë së Krumovgradit, Sebihan Mehmed, si dhe me përfaqësues të bizneseve që janë zhvilluar falë projekteve të mbështetura nga miniera. Anëtarët e delegacionit do të kenë gjithashtu mundësinë të vizitojnë uzinën për nxjerrjen e arit nga mineralet me anë të rrugës hidrometalurgjike me teknologjinë “carbon-in-pulp” në qytetin e Karxhalit.
Maqedonia e Veriut, me ligjet për minierat dhe gjeologjinë që janë duke u hartuar aktualisht, transpozon standardet evropiane në fushën e shfrytëzimit të mineraleve dhe mbrojtjes së mjedisit. Të dy ligjet u vunë në Regjistrin unik elektronik kombëtar të rregulloreve (REKR) për shqyrtim publik, dhe sipas Ministrisë së Energjisë, Metalurgjisë dhe Burimeve Minerale. janë marrë mbi 100 propozime dhe komente, nga të cilat 20 do të shqyrtohen këto ditë me mundësinë e përfshirjes në zgjidhjet ligjore. Vëmendje e veçantë në të dy ligjet që rrjedhin nga Ligji për Burimet Minerale i kushtohet forcimit të politikës penale duke shumëfishuar dënimet.

Qëllimi është që së bashku të ndërtohet zgjidhja më e mirë e mundshme ligjore që do të sigurojë mbrojtje më të mirë të mjedisit: standarde të rrepta mjedisore në eksplorimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerale, një detyrim për rehabilitimin dhe bonifikimin e terrenit pas përfundimit të aktiviteteve minerare, mundësia e përpunimit dhe shfrytëzimit të burimeve minerale nga deponitë e vjetra. Mbështetje për komunitetet lokale: shumica e të drejtave minerare dhe të ardhurave nga minierat të mbeten në komunat ku kryhet shfrytëzimi, detyrime për kompanitë për të investuar në infrastrukturën lokale dhe zhvillimin shoqëror, përfshirje e komuniteteve në proceset e vendimmarrjes. Kontroll dhe transparencë më e madhe, rregullim efikas i sektorit minerar me këto zgjidhje ligjore që do të sigurojnë mbrojtje më të mirë të burimeve natyrore, publiku do të ketë një pasqyrë më të mirë të procesit të dhënies së koncesioneve, mbikëqyrje më të fortë nga institucionet shtetërore, citojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale për zgjidhjet e reja ligjore.
Gjithashtu, siç deklarojnë ata, shteti pret të ofrojë përfitime më të mëdha ekonomike, tarifa më të larta minerare, të drejta dhe detyrime të përcaktuara saktësisht të koncesionarëve, inkurajim të investimeve vendase dhe investimeve të qëndrueshme, promovim të potencialit ekonomik që sjell metalurgjia.