Delegacioni i ASH-së në Korçën e shkollës së parë shqipe: Forcojmë urat e bashkëpunimit me komunat juglindore të Shqipërisë

nga D. V.

Shkup, 8 gusht – Një delegacion i Aleancës për Shqiptarët, i kryesuar nga kryetari i partisë, Dr. Arben Taravari, po zhvillon një vizitë zyrtare në komunat dhe bashkitë juglindore të Republikës së Shqipërisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar.

Pas ndalesës së parë në Bashkinë e Pogradecit, ku u pritën nga kryetari Ilir Xhakolli, delegacioni ndodhet sot në qytetin e Korçës, një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës, arsimit dhe historisë shqiptare – qyteti i shkollës së parë shqipe, i muzeve dhe i traditës së rikthyer europiane.

Delegacioni u prit nga kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, me të cilin u zhvillua një takim i frytshëm mbi mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Së bashku, vizituan edhe Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe, një simbol i rëndësishëm i arsimit dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Në fokus të diskutimeve ishin:

• shkëmbimi i përvojave ndërmjet komunave dhe bashkive,

• projekte të përbashkëta në fushën e arsimit dhe kulturës,

• shkëmbimi i nxënësve dhe aktiviteteve rinore,

• bashkëpunimi në zhvillimin e turizmit ndërkufitar,

• dhe sidomos zbatimi i modelit të turizmit katërstinor, që Korça e ka zhvilluar me sukses dhe që mund të shërbejë si shembull i mirë edhe për komunat tona në Maqedoninë e Veriut.

Dr. Arben Taravari u shpreh:

“Korça është shembull i vizionit, identitetit dhe funksionimit europian të një qyteti që nuk ka humbur rrënjët e veta. Jemi të bindur se përmes lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet komunave dhe bashkive tona, do të forcojmë rrjetin e bashkëpunimit shqiptar në rajon, në shërbim të qytetarëve tanë dhe të zhvillimit të përbashkët.”

Po ashtu, delegacioni, i kryesuar nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Dr. Arben Taravari, zhvilloi një takim të veçantë edhe me z. Niko Peleshi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve, perspektivave të integrimit rajonal dhe rëndësisë së ndërlidhjes ndërmjet faktorit politik shqiptar në të dy anët e kufirit. Palët theksuan rëndësinë e mbajtjes së kontakteve të rregullta për të forcuar frymën e bashkëpunimit dhe koordinimit në çështje me interes të përbashkët.

Delegacioni përbëhet nga:

• Dr. Arben Taravari – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët,

• Valbon Limani – Kryetar i Komunës së Gostivarit,

• Isen Shabani – Kryetar i Komunës së Vrapçishtit,

• Blerant Ramadani – Kandidat për Kryetar të Komunës së Sarajit,

• dhe Nazim Taipi – Kandidat për Kryetar të Komunës së Tearcës.

Vizita zyrtare do të vazhdojë në Ersekë dhe Pustec, si pjesë e turneut institucional në komunat e rajonit juglindor të Shqipërisë.

Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve lokale shqiptare kudo në rajon, duke promovuar zhvillim të përbashkët, solidaritet dhe vizion mbarëkombëtar.

Aleanca për Shqiptarët

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More