Shkup, 1 korrik – Delegacioni në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE-së) i përbërë nga: Monika Zajkova, shefe e Delegacionit, Nikolla Micevski dhe Halil Snopçe, anëtarë, mori pjesë në Sesionin e 32-të Vjetor të AP-së së OSBE-së, që po mbahet nga 29 qershor deri më 3 korrik 2025 në Porto, Portugali.
Tema e përgjithshme e këtij Sesioni është “Shënimi i 50-vjetorit të Aktit Final të Helsinkit: Përgjigjja ndaj realitetit të ri në OSBE”.
Në këtë eveniment marrin pjesë më shumë se 200 parlamentarë nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia Qendrore.
Sesioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së filloi me fjalime që përshëndetën 50-vjetorin e OSBE-së si kohë për të aktivizuar të njëjtin vizion të guximshëm dhe strategjik që çoi në miratimin e Aktit Final të Helsinkit në vitin 1975, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për sfidat aktuale në siguri, ekonomi dhe mjedis jetësor, si dhe në të drejtat e njeriut.
Duke folur në sesionin e hapjes, Presidenti i Republikës Portugeze, Marselo Rebelo de Souza, Kryetari i Parlamentit Portugez, Hoze Pedro Agiar-Branko, kryetarja e AP-së së OSBE-së, Pia Kauma (Finlandë), sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, dhe shefja e Delegacionit Portugez në AP-në e OSBE-së, Paula Kardoso, kujtuan rëndësinë e vazhdueshme të dialogut dhe bashkëpunimit, si dhe riafirmimin e parimeve të përbashkëta të OSBE-së.
Në kuadër të mbledhjeve të komisioneve të AP-së së OSBE-së, deputetja Monika Zajkova foli për aktivitetet e Rrjetit të Parlamentarëve të Rinj, kësaj organizate, e cila është platformë shumë aktive dhe dinamike. Ajo tregoi se energjia, përkushtimi dhe vizioni i këtij rrjeti sjellin perspektivë të re në AP-në e OSBE-së, por gjithashtu ndikojnë dhe kontribuojnë në punën parlamentare në parlamentet kombëtare. Ajo tregoi se është koha për të ecur drejt institucionalizimit të rrjetit.
Deputeti Nikolla Micevski mbajti fjalim para Komisionit për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare. Ai vuri në dukje se OSBE-ja si organizatë u themelua nëpërmjet Procesit të Helsinkit dhe që atëherë ka qenë organizata më e madhe rajonale e sigurisë, e pozicionuar në mënyrë unike për t’iu përgjigjur sfidave të reja duke kombinuar dialogun politik, masat e ndërtimit të besimit dhe ndihmën praktike në terren. Megjithatë, sot përballemi me një peizazh gjeopolitik që zhvillohet me shpejtësi, të shënuar nga sfida të reja – nga tensionet e përtërira midis fuqive të mëdha dhe kërcënimeve hibride deri te erozioni i institucioneve demokratike dhe këmbëngulja në keqpërdorimet e të drejtave të njeriut. Përkushtimi i OSBE-së ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe çështjeve humanitare mbetet me rëndësi të madhe, ndërsa mjetet dhe qasjet e përdorura duhet të përshtaten me realitetet e reja.
Sesioni vazhdoi me Sesionin Plenar që do të mbahet më 2 korrik dhe miratimin e rezolutave të propozuara. Sesioni Vjetor, i cili po mbahet në Porto nga 29 qershor deri më 3 korrik, mbahet me temën e përgjithshme “Shënimi i 50-vjetorit të Aktit Final të Helsinkit: Përgjigjja ndaj realitetit të ri në OSBE”. Në këtë eveniment marrin pjesë më shumë se 200 parlamentarë nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia Qendrore.
Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende në Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut. Asambleja ofron forum për diplomacinë parlamentare, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përmbushur angazhimet e OSBE-së mbi çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut