Në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dështuan dy propozime të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht dështoi zgjedhja e Albulena Haxhiut. Në seancë nga 116 deputetë të pranishëm, 57 votuan për, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Më pas dështoi edhe zgjedhja e kandidates së dytë, Donika Gërvalla, për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
57 deputetë votuan për, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Kryesuesi , Avni Dehari, ndërpreu seancën dhe tha se do të vazhdojë më 22 gusht.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive vjen pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcaktoi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Haxhiu: Nuk ka qenë problem emri im, por problemi është me Vetëvendosjen
Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, pas dështimit të zgjedhjes së saj dhe të të Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, tha se nuk ka qenë problem emri i saj , por problemi është me Vetëvendosjen, raporton Ekonomia Online.
“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla dhe ne nuk e propozuam vetëm rastësisht. Donika Gërvalla së pari është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe besoj që kjo duhet të këtë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat. Është zëvendëskryeministre, është person jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me Donikën ne kemi pasur një partneritet të shkëlqyer, një bashkëpunim tepër të mirë. Për ne kjo ka shumë rëndësi, siç e kanë përmendur edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes ne menduam se do të kalojë ky propozim. Mirëpo, ja që opozita nuk dëshiron që të ndryshojë qëndrimin. Besoj që kurdo që ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.
“Besoj që sot jeni bindur që nuk ka qenë problem emri im. Problemi është me VV-në, pra opozita bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua që PDK, LDK, AAK, Lista Serbe janë bashkë. Pra ata në vazhdimësi kanë qenë bashkë dhe sot u dëshmua që janë bashkë”, shtoi Haxhiu.
Krasniqi: PDK-ja nuk ka vota për ndonjë ministër të kësaj qeverie
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, ritheksoi qëndrimin se nuk do të votojnë asnjë kandidat që ka qenë pjesë e Qeverisë së tanishme , raporton Ekonomia Online.
“PDK-ja, sikur që kemi thënë prej fillimit, e përsërit qëndrimin e vet: ne do të votojmë një kandidat të pranueshëm që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit. Është e drejtë e tyre kë të duan ta kandidojnë, por është obligim ta propozojnë dikë që kalon. Mund ta zgjedhin dikë që nuk ka qenë ministër, është çështje e tyre. Të shohim pasnesër, besoj që këta dëshirojnë të bëjnë një zgjidhje dhe me pasur një zgjedhje të kryesisë, sot kemi mundur ta kryejmë këtë punë. E kemi thënë: nuk ka vota për ministër”, tha Krasniqi.
Abdixhiku: Vetëvendosje nuk i ka numrat, refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, pas vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se thelbi i problemit është se Vetëvendosje nuk ka numra dhe refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera, raporton Ekonomia Online.
“Është e qartë se thelbi problemi ka qenë tek shumica parlemnater përkatësisht mungesa e kësaj shumice. Siç u pa përveç që kishim humbur 48 seanca rresht për shkak të shkeljes kushtetuese tani të konfirmuar dy herë. Ne kemi në thelb të problemit mungesën e shumicës politike. Pra, nuk ka numra partia që ka dalë e para në këto zgjedhje, refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera.
Rrjedhimisht, bën bllokda institucionale. Qëndrimet e LDK-së nga dita e parë deri më sot edhe deri në ditën tjetër, do të mbesin të njëjta e të pandryshueshme. LDK-ja nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje. Si e tillë nuk mund të mbështes kandidatë që s’ka marrëveshje politike dhe nuk dëshiron që të ketë marrëveshje politike në këtë drejtim”, tha Abdixhiku.
Kadrijaj: Vetëvendosje po mban peng institucionet, propozojnë kandidatë që nuk e kanë votën
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje pas seancës së dështuar konstituive, duke e quajtur arrogante qasjen e partisë në pushtet, raporton Ekonomia Online.
“E pamë edhe sot arrogancën e pushtetit dhe partisë më të madhe. Është dashur kërkim faljeje, sepse e kanë shkelur Kushtetutën.
E patë që nuk kishin as keqardhje që për gjashtë muaj po mbajnë peng institucionet e Kosovës, e kanë ditur që Albulena Haxhiu nuk e ka votën dhe propozohen kandidatë që nuk e kanë votën”, tha Kadrijaj.
Limaj: Vetëvendosje duhet të gjeje rrugë për të ndërtuar institucionet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pak para seancës konstituive tha se partia e parë Vetëvendosje duhet të gjeje rrugë për të ndërtuar institucionet , raporton Ekonomia Online.
“Ne e kemi dhënë një mundësi, mundësitë janë të hapura. Dëshira dhe angazhimi ynë është për t’i ofruar Kosovës mundësi për institucione. Tash edhe me dy aktgjykime të gjykatës tregon edhe një herë gjykata se interesi publik i Kosovës është të gjenden rrugë për të ndërtuar kapacitete qeverisëse.
Partia e parë duhet të gjeje rrugë për të ndërtuar këto kapacitete të një shumice parlamentare. Nisma nëse këtu veprohet sipas udhëzimit të Gjykatës Kushtetuese derisa nuk ka një marrëveshje politike votimi ynë është ai që ka qenë para se me hy në komision e fshehtë. Ne nuk kemi votë pa një marrëveshje politike, e cila prodhon ndërtimin e institucioneve”, tha Limaj.
