Shkup, 10 shtator – Sporti është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, prandaj përkrahja për sportin është fokusi i punës së kësaj Qeverie, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska në Samitin Rajonal të Sportit, Shkup 2025, me temën “Sporti si simbol i identitetit kombëtar dhe një rrugë drejt së ardhmes. E ardhmja e sportit: Strategji kombëtare, investime dhe inovacione”.
“Investimi në sport krijon komb të shëndetshëm, ndërsa sporti është e vetmja mënyrë për ta arritur këtë. Nëse duam të kemi ekonomi, duhet të kemi komb të shëndetshëm, të disiplinuar, të përkushtuar dhe të fokusuar në fitore”, theksoi ministrja.
Sipas saj, është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë qasje në sport dhe për këtë arsye po investohet shumë në sportet shkollore.
“Si Qeveri, i japim përkrahje të madhe sportit. E dimë gjendjen e buxhetit, por pavarësisht të gjitha vështirësive që kemi, buxheti për sportin është dyfishuar në vitin 2025, krahasuar me vitin 2023. Konkretisht, në vitin 2019 u ndanë 300 milionë denarë, në vitin 2023 u ndanë 550 milionë denarë, ndërsa këtë vit janë ndarë 1.2 miliardë denarë”, theksoi Dimitrieska – Koçoska.
Ajo theksoi se sipas dispozitave ligjore, sporti mund të mbështetet nga subjektet ekonomike dhe njoftoi se në periudhën e ardhshme do të shqyrtohen disa ligje në disa këndvështrime, përfshirë edhe aspektin e përkrahjes së sportit.
Ministrja nënvizoi se Ligji i Lojërave të Fatit është aktualisht në procedurë parlamentare, përmes të cilit organizatorët e lojërave të fatit paguajnë një pjesë të mjeteve në Ministrinë e Sportit. Respektivisht, ajo bëri të ditur se, 200 milionë denarë po destinohen në këtë drejtim dhe se pret që kjo vlerë të rritet në periudhën e ardhshme.
Ministrja foli në panelin kushtuar sponsorizimeve në sport: Si të krijojmë partneritete fitimprurëse.