Shkup, 7 nëntor – “Nuk do të hyj në emra për rikonstruimin e Qeverisë, por tani ka përfunduar një proces ku Qeveria u legjitimua. Është stabilizuar mundësia që pushteti t’i marrë në dorë të gjitha instrumentet për zbatimin e programit të vet. Tani vjen periudha kur kryeministri duhet t’i zgjedhë njerëzit që më dinamikisht dhe më cilësisht do t’i përmbushin pritjet e qytetarëve,” tha sonte në emisionin 24 Analiza Ilija Dimovski, ish-funksionar i lartë i VMRO-DPMNE.
Dimovski theksoi se drejtësia është një nga fushat prioritare në të cilat duhet të vendoset rregull. “Çfarë rregulli do të jetë, këtë e vendos Qeveria,” shtoi ai. Sipas tij, një tjetër prioritet është funksionaliteti i administratës publike.
“Administrata jonë është tepër e madhe, e ngadaltë, e shtrenjtë dhe joefikase. Nëse Qeveria i përkushtohet dhe bën ndryshime në këtë drejtim, do të ketë rezultate. Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje edhe shpenzimeve buxhetore, të cilat duhet t’i ulë. Në çdo resor ka punë për t’u bërë, ka hapësirë dhe front për veprim. Qeveria tani ka kapacitet dhe legjitimitet të plotë dhe duhet t’i përkushtohet këtij procesi,” tha Dimovski.
Ai shtoi se nuk pret dhe nuk mendon se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sa i përket numrit të vogël të votave që mori Orce Gjorgjievski, Dimovski tha se nuk bëhet fjalë për “vota proteste”, por për mungesë gare dhe motivimi, pasi disa muaj para zgjedhjeve dihej se ai do të fitonte.
Për humbjen e 140 mijë votave nga zgjedhjet parlamentare në ato lokale, ai shpjegoi se gjithmonë interesi dhe motivimi për zgjedhjet parlamentare është më i madh.
