Premiera e filmit dokumentar “Horo Ano Boro” nga regjisori Benjamin Menekshe është prezantuar të martën mbrëma para publikut të pranishëm në Kino Lumbardhi në Prizren.
Dokumentari në fjalë ka shpalosur një kapitull të historisë rome në qytetin e vjetër, përmes rrëfimit për veprimtarinë 55-vjeçare të Shoqërisë Kulturore Artistike “Durmish Aslano”, duke vënë në pah mungesën e vazhdueshme të një salle adekuate për ushtrimin e veprimtarisë.
“Ky dokumentar nuk është vetëm një krijim artistik, por një akt i rëndësishëm i kujtesës sonë kolektive. Është një histori e treguar me ndjeshmëri, përkushtim dhe vërtetësi”, ka thënë Menekshe.

Sipas tij në këtë film është trajtuar historiku i gjatë i ShKA “Durmish Aslano”, që pastaj është kanalizuar në trajtimin e mungesës së hapësirës adekuate, meqë të intervistuarit kanë treguar se si cështjet dhe brezat kanë ndryshuar, por problemi ka mbetur i njëjtë, “pra, mungesa e sallës për ti mbajtur provat”.
“Dokumentari sjellë një kronologji, duke filluar prej pamjeve të radios deri më sot. Ish-drejtorët dhe drejtori i tanishëm flasin për problemin e njëjtë, që zgjat mbi pesë dekada. Dhe kjo besoj që duhet të reflektohet qoftë në Qeverinë e Kosovës, qoftë në Komunën e Prizrenit, por edhe tek vetë romët, për të ruajtur trashëgiminë, për të treguar se sa vlen kultura në ditët e sotme, edhe se si të arkivohet dhe dokumentohet ajo”, ka deklaruar Menekshe për Telegrafin.

Ai ka shprehur qëndrimin se hapi i radhës do të ishte ndërtimi i Qendrës Kulturore Rome meqë Prizreni ka ndërtuar Qendrën Kulturore Boshnjake, dhe është në ndërtim edhe të Qendrës Kulturore Turke.
“Nëse komunitetet tjera janë dy hapa para nesh dhe ne nuk kemi mundur ende të hedhim hapin e parë atëherë mendoj se kjo duhet të jetë një lloj kauze për ndërgjegjësim të komuniteteve jo-rome, por edhe të komunitetit rom për adresimin e këtij problemi”, ka thënë Menekshe për Telegrafin.

Në të njëjtën kohë ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti, i cili sipas tij duhet të shërbejë si frymëzim për të vazhduar rrëfimin e historive që ende presin të ndriçohen, si dhe për mbështetjen e ofruar nga MKRS-ja.
Ky film është dokumentari i tretë i shkurtër i realizuar nga Benjamin Menekshe.
