Drejtori i Agjencisë për Bujqësi dyshohet se ka rënë dakord për një ryshfet prej 50 mijë eurosh për një kontratë IPARD

nga Xh M

Shkup, 7 nëntor – Dje pasdite, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK), hetuesit e Qendrës Hetimore të kësaj prokurorie dhe oficerë policorë nga njësia OSOSK realizuan një aksion gjatë të cilit u arrestuan pesë persona.

Ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari i parë ka kryer vepra penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, ndërsa tre persona të tjerë – si ndërmjetës – kanë kryer veprën “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, dhe një person tjetër ka kryer vepër të zgjatur penale “Marrje ryshfeti”. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për fillimin e hetimeve ndaj të gjithë të dyshuarve.

I dyshuari i parë – administrator i një personi juridik – nga fundi i shkurtit të këtij viti deri dje, duke përfituar nga marrëdhënie të vazhdueshme dhe rrethana të përsëritura, në disa raste, drejtpërdrejt ose përmes ndërmjetësve, i ka premtuar dhuratë në para me vlerë të konsiderueshme drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV-së.

Tre të dyshuarit e tjerë – mes tyre një referent tatimor në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (UJP) në Shkup dhe një nëpunës shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave – kanë shfrytëzuar ndikimin dhe pozitën e tyre zyrtare për ta nxitur drejtorin që të kryejë një veprim zyrtar që nuk kishte të drejtë ta kryente.

Konkretisht, megjithëse kompania e të dyshuarit të parë nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara në Thirrjen Publike nr. 01/24 për përdorimin e fondeve nga Programi IPARD për Masën 3, drejtori – pas premtimit për dhuratë me vlerë të madhe prej 50 000 eurosh – gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar kontratën për përdorimin e fondeve financiare me kompaninë dhe ka marrë një pjesë të parave, 400 euro, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit.

Duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup që të caktojë paraburgim për të gjithë të dyshuarit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More