Reprezentuesi kanadez, Jonathan David do t’i bashkohet Juventusit si transferim i lirë pas skadimit të kontratës me Lille.
Raportime të shumta në Itali pohojnë se Juventusi ka arritur një marrëveshje me ekipin e Davidit, që do të thotë se 25-vjeçari do të transferohet në Torino si lojtar i lirë, pasi është zyrtarisht pa klub pasi kontrata e tij me Lille skadoi më 30 qershor.
Football Italia raportoi javën e kaluar se Bianconerët kishin arritur marrëveshje për pagën e lojtarit, por ishin ende në bisedime me rrethin e tij në lidhje me tarifat e agjentëve.
Tani eksperti i transferimeve Fabrizio Romano, Sky Sport Italia dhe gazetari Romeo Agresti pretendojnë se të tre palët e përfshira kanë arritur një marrëveshje, kështu që David do t’i bashkohet Juventusit si transferim i lirë.
“Jonathan David te Juventusi, ja ku jemi! U arrit një marrëveshje verbale gjatë natës për çdo detaj me sulmuesin kanadez”.
“Marrëveshja afatgjatë është arritur dhe Jonathan David është gati të udhëtojë për testet mjekësore, hapat zyrtarë që duhen ndjekur”, ka shkruar Romano.
Sipas Sky Sport, Juventusi mbetet i interesuar edhe për Victor Osimhen dhe dëshiron ta mbajë Randal Kolo Muanin, por ata duan që Dusan Vlahovic të largohet pasi kontrata e lojtarit serb skadon vitin e ardhshëm dhe ai nuk është i gatshëm ta zgjasë atë.
Ndryshe, Juventusi u eliminua nga Kupa e Botës për Klube të martën në mbrëmje, duke humbur 1-0 ndaj Real Madridit.