“Elefanti në dhomë”- Ditmir Bushati kritikon: Vota abstenuese në OKB në kushtet kur Shqipëria e njeh Palestinën, politikë e jashtme kameleonike, nën diktatin e bursës së politikës së brendshme

nga L. M

NGA DITMIR BUSHATI

ELEFANTI NË DHOMË
Palestina do të jetë “elefanti në dhomë”, gjatë takimit vjetor të Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që nis këtë javë. Disa shtete të mëdha perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re lajmëruan njohjen e saj. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe Portugalia, Belgjika, Luksemburgu, Malta, San Marino dhe Andorra.

Deri më tani shtetësia palestineze është një prej çështjeve më të debatuara në OKB. Palestina gëzon njohje ndërkombëtare prej më shumë se gjysmës së vendeve anëtare të OKB-së, gjë që i lejon asaj të mbajë misione diplomatike jashtë vendit dhe të marrë pjesë pjesërisht, si shtet vëzhgues, në OKB. Megjithatë, asaj i mungojnë kufijtë e sanksionuar nga rezoluta e OKB-së e vitit 1948, një ushtri, një kryeqytet dhe sovranitet i plotë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Izraelin.

Pse këto njohje tani?

Të gjitha këto vende historikisht kanë treguar mbështetje të fortë për Izraelin. Madje, një dekadë më parë, asnjë prej këtyre shteteve nuk votoi në mbështetje të statusit të vëzhguesit të Palestinës në OKB. Por skenat e urisë në Gaza dhe zemërimi në rritje për egërsinë e fushatës joproporcionale ushtarake të Izraelit në përgjigje të sulmeve terroriste të 7 tetorit të Hamasit, kanë ndryshuar opinionin publik në shumë prej këtyre vendeve.

A do ta ndryshojnë këto njohje situatën në tërren?

E vështirë. Gjithsesi, fakti që vendet e fuqishme të G7-ës e ndërmarrin këtë hap për herë të parë sinjalizon një ndryshim të valës në Perëndim, veçanërisht midis disa prej mbështetësve më të vendosur të Izraelit. Kjo gjithashtu i jep Palestinës mbështetjen e katër prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Njohja e Palestinës nga këto shtete argumentohet me “riafirmimin e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje” dhe si kontribut për një zgjidhje me dy shtete. Ndërkohë që mbështetësit e Izraelit argumentojnë se zgjidhja me dy shtete nuk mund të vijë si shpërblim ndaj Hamasit, dhe pa zhdukjen e plotë të tij nuk mund të ketë as armëpushim e as dialog që i prin një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe përfundimtare.

Po ne?

Megjithëse e ka njohur shtetin e Palestinës në vitin 1988, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2012 votoi për t’i dhënë Palestinës statusin e shtetit vëzhgues jo-anëtar, Shqipëria abstenoi. Në vitin 2018, Shqipëria votoi në mbështetje të rezolutës që hidhte poshtë vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Gjatë përshkallëzimit të luftës në Gaza, qëndrimi i Shqipërisë u bë edhe më i paqartë duke reflektuar mungesë koherence në votimet në OKB, dhe ç’është më e keqja, mungesë ndjeshmërie ndaj disa parimeve të cilat Shqipëria i ka promovuar për shkak të historisë së popullit shqiptar.

Në maj dhe shtator të vitit 2024, kur Asambleja e Përgjithshme miratoi rezoluta për pranimin e Palestinës si anëtare me të drejta të plota, Shqipëria sërish abstenoi. Shqipëria nuk mbështeti deklaratën e Neë York që doli nga punimet e Konferencës së Nivelit të Lartë dhe abstenoi për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të 12 shtatorit 2025 që mbështet zgjidhjen me dy shtete (Izrael/Palesintë). Madje, Shqipëria abstenoi edhe në votimin e rezolutës të 19 shtatorit 2025, për pjesëmarrjen e Palestinës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti.

Vota abstenuese në kushtet kur Shqipëria e njeh Palestinën, dhe është shprehur vijimësisht se mbështet një zgjidhje me dy shtete, përforcon perceptimin e një politike të jashtme kameleonike, nën diktatin e bursës së politikës së brendshme.

Një nga sfidat e politikës së jashtme është koherenca dhe qëndrueshmëria në raport me parimet që mbrojmë dhe interesat që kemi, duke ruajtur njëkohësisht aleancat me partnerët strategjikë. Kjo kthehet në domosdoshmëri, sidomos në një kohë të pasigurtë kur referencat ndryshojnë vazhdimisht. Ndërsa objektivat dhe aspiratat tona përbëjnë horizontin e politikës së jashtme, parimet dhe qëndrueshmëria e orientimeve tona duhet të jenë vija kufizuese e përcaktuese të horizontit.

Të kuptohemi, Shqipëria është një vend i vogël që nuk ka në dorë zgjidhjen e konflikteve të ndërlikuara. Por që të veprojmë me seriozitet dhe të demonstroimë qartësi strategjike është detyrimi ynë. Të tilla çështje kërkojnë drejtpeshimin e interesave dhe parimeve që kemi promovuar ndër vite, pasi në lojë është pjekuria dhe vazhdimësia e shtetit, aftësia për t’u orientuar siç duhet në një botë që ndryshon vazhdimisht.

Dënimi pa asnjë mëdyshje i veprimeve terroriste të Hamasit, respekti për civilët e pafajshëm, parimet dhe rregullat e të drejtës ndërkombëtare të shpërfillura në katastrofën humanitare në Gaza, dhe një riafirmim i një zgjidhjeje me dy shtete Izrael/Palestinë, do të ishte një qëndrim i drejtë, i moralshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E në të njëjtën kohë, në respekt të historisë sonë me hebrenjtë e strehuar në Shqipëri gjatë nazizmit dhe partneritetit të farkëtuar ndër vite me shtetin e Izraelit.

https://www.facebook.com/watch/?v=1437014500740526

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More