Kumanovë, 14 qershor – Në një tubim madhështor me strukturat partiake të Aleancës për Shqiptarët, kryetari i Kuvendit të ASH-së dhe zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm përballë aktivistëve, drejtuesve dhe simpatizantëve të partisë në Kumanovë.
Fetai theksoi se edhe pse Ali Ahmeti po tenton t’i marrë disa kryetarë komunash, ai nuk mund ta marrë kurrë strukturën e ASH-së dhe aq më pak zemrën e saj, aktivistin e devotshëm. “Aktivisti ynë nuk është për shitje. Ai është antipod i BDI-së – dhe i tillë do të mbetet!”, u shpreh Fetai mes duartrokitjeve të fuqishme të të pranishmëve.
Në fjalimin e tij, ai i bëri një analizë të qartë rrethanave politike që çuan në ndarjen me Arben Taravarin, duke theksuar se ky i fundit e pranoi misionin e diktuar nga Artan Grubi për të rikthyer BDI-në në pushtet dhe për të destabilizuar Qeverinë. “Plani i tyre dështoi. Falë jush, falë aktivistëve që nuk u dorëzuan”, deklaroi Fetai.
Ai u shpreh krenar për arritjet e qeverisë së VLEN-it gjatë vitit të parë të mandatit, duke numëruar një sërë investimesh historike: 720 milionë euro investime të huaja, 6 miliardë euro marrëveshje me Britaninë e Madhe, 300 milionë euro investime në komuna, 250 milionë euro për kompanitë vendore, 35 milionë euro për Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, 20 milionë euro për parkingun në Sheshin Skënderbeu, 2.500 punësime të reja për shqiptarët në sektorin publik deri në zgjedhjet lokale.
Fetai nënvizoi se Qeveria VLEN po i jep fund kapjes së shtetit dhe epokës së “pomlad sorabotnikëve”, duke përmendur avancimet dhe punësimet e reja në Postë dhe në Librat Amë. Ai gjithashtu paralajmëroi se më 24 qershor, në përvjetorin e parë të qeverisë, do të miratohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, një premtim i vonuar nga BDI për 22 vite. “Nuk na udhëheqin tenderët, por drejtësia. Nuk na drejtojnë dosjet dhe shantazhet, por ndërgjegjja”, përfundoi Fetai, duke theksuar se VLEN nuk do të ndalet në betejën për barazi, dinjitet dhe përfaqësim të drejtë për shqiptarët.
