DOMINIMI
Tadej Pogačar fitoi për të katërtën herë garën më prestigjioze të çiklizmit në botë – Le Tour de France – dhe nga ky triumf rrjedh shtrembërimi i bërë në titull. Iu bashkua kësisoj çiklistit britanik Chris Froome i cili e kishe dominuar garën në dekadën e kaluar, duke u bërë kështu dominuesi i garës për dekadën aktuale. Pas vitit 2020, 2021 dhe 2024, i sivjetmi u bë i katërti për sllovenin Pogačar dhe tani pakkush ka dyshim se do t’i bashkohet legjendave, Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Induráin, që kanë triumfuar nga 5 herë në Francë. Më shumë se kaq nuk ka shkuar askush. Marrë parasysh “lehtësinë” me të cilin Pogačari fshiu konkurrencën, mund të jetë i pari që mund të shkojë përtej 5-shit.
Nëse për 21 ditë përshkohen me biçikletë 3300 kilometra e ca, brenda ditës ka ngjitje malore që shkojnë deri në 2 mijë metra apo se kjo ngjitje mbërrin gradientin rreth 15%, nuk ka askush të drejtë të thotë që gara është fituar lehtë. Prandaj lehtësia e fitimit të Turit nga Pogačari mbetet përshtypje. Në 5 vitet e fundit nuk ka shumë pikëpyetje se cili prej dy emrave do të fitojë Turin. Nëse nuk do të jetë Pogačari, do të jetë Jonas Vingegaardi, fitues dy herë në 2022 dhe 2023. Dhe dueli i tyre, sidomos në etapat malore ka qenë i paparashikueshëm, gjë që edhe në vitet kur njëri ka qenë pak më i mirë se tjetri, megjithatë ka pasur rivalitetit. Fjala bie, në Turin e 2022-s, deri para 3 etapave të fundit, Vingegaardi i ikte Pogačarit vetëm 10 sekonda para se ky i fundit të “thyhej” në Alpe. Në 2023 ngjashëm.
Mirëpo, sivjet, që në etapën e pestë Pogačari i tregoi dhëmbët në etapën e kronometrit duke e kompletuar atë 65 sekonda para danezit. Kurse në javën e dytë, duke fituar dy etapa malore në Pirineje, e la dy ditë rresht pas vetes Vingegaardin për afro nga 2 minuta, duke fituar dy etapa (nga gjithsej 4 sivjet) dhe duke e betonuar distancën kohore në 4-4.5 minuta. Përshtypjen e lehtësisë e la edhe fakti që Jonas Vingegaardi në asnjë moment nuk bëri ndonjë sulm domethënës, në asnjë moment nuk arriti t’i shqitej sllovenit qoftë për pak sekonda në ndonjë etapë, në asnjë etapë nuk përfundoi para rivalit dhe nuk e fitoi asnjë etapë sivjet. Për pjesën tjetër të pelotonit as që bëhet fjalë, duke pasur parasysh që pos Vingegaardit, asnjë tjetër nuk pati më pak se 11 minuta diferencë apo prapambetje nga Pogačari.

MËRZITJA?
Një dominim i tillë mbase ishte zhgënjyes apo mërzitës edhe për vetë sllovenin 27-vjeçar. Kryegazetari i çiklizmit në të përditshmen prestigjioze franceze L’Equipe, Alex Ross, shkruajti gjatë javës së kaluar se “gjatë ditëve të fundit, disponimi i dobët i tij e ka turbulluar dhe ngrënë ambientin në fund të Turit të sivjetmë, sepse si mund të jeni entuziast nëse vetë Fanella e Verdhë e lë përshtypjen e të qenët i mërzitur dhe duke kaluar në diçka të dhimbshme?” Jemi mësuar ta shohim Pogačarin të vetëpërmbajtur, kontrollues, të cilit madje as dhembja nuk i shihet në fytyrë pasi të ketë ngjitur majat e larta të Alpeve e të Pirinejve. Mund të jetë nga kjo lodhje, mund të jetë nga rikthimi disa herë në skenë në Bulevardin Champs-Élysée që në ceremoninë e triumfit, tok me thirrjet e ekipit të vetë UAE dukej indiferent apo mezi dhuronte një buzëqeshje; megjithatë mund të jetë edhe humbja e motivimit, ngase triumfi i katërt (po theksoj prapë pa ndonjë konkurrencë reale) duket të mos jetë më motivues po aq sa i pari, admirues sa i dyti apo ngazëllyes sa i treti, pas dy mposhtjeve rend.
Pikëpyetjet janë shtuar gjatë së hënës kur në një intervistë të publikuar Pogačari u citua të ketë thënë se Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit në 2028 mund të jenë viti i fundit i karrierës së tij, duke mos parashikuar për veten një karrierë që shkon përtej moshës 30-vjeçare. Herët për çiklistët e sotëm profesionistë të cilët shkëlqejnë herët por karrierat shkojnë deri te 35-ta. Herët edhe në dritën e super-kontratës të cilën e ka me ekipin aktual emirat UAE, e cila skadon në 2030 dhe peshon 8.25 milionë euro në vit!
A KA ARDHUR KOHA E NDRYSHIMIT PËR VINGEGAARDIN?
Pogačari dhe Vingegaardi zgjedhin tanimë me vite dy modele të ndryshme të përgatitjes. Slloveni preferon të jetë më aktiv dhe të përgatitet duke marrë pjesë në sa më shumë gara. Kësisoj, pranverat e tij – sezoni me gara njëditore të ashtuquajtura klasike – janë të ngarkuar, shpesh fiton dhe vazhdimisht është në mesin e pelotonit ku ka shumë kalkulime për pozicionim sa më të mirë, ataqe dhe ndjekje të kundërshtarit, si edhe taktizime ekipore.
Sakaq, danezi preferon sa më pak gara, kalon kohë shumë në kampe sidomos të lartësisë mbidetare të lartë. I mungon garimi real dhe mbase është arsyeja që shpesh i mungon takti për të gjitha veçoritë e lartpërmendura. Dy herë mbase kjo taktikë ka qenë e mjatueshme për të fituar Turin, por nëse shikohet prapa në karrierat e këtyre me gjasë slloveni do të mbahet në mend shumë më gjatë, qoftë për numrin e xhirov e të fituara apo etapave në to, qoftë në numrin e fitoreve indivuale ku në Turin e sivjetmë e tejkaloi numrin prej 100 fitoreve etapore në karrierë.
KUSH TJETËR GAROI?
Turi i sivjetmë në Francë shënoi shkëlqimin e disa çiklistëve të rinj. Në dhjetëshen e parë, me përjashtim të dyshes dominuese dhe veteranit Primož Roglič, të tjerët janë nën moshën 25-vjeçare. I treti i klasifikimit të përgjithshëm, gjermani Florian Lipowitz duket si lider i ri në ardhje për ekipin Bora-Hansgrohe. Britaniku Oscar Onley, norvegjezi Tobias Johannessen, francezi më i mirë i ranguar. Kevin Vauquelin dhe irlandezi Ben Healy duket se mund të jenë konkurrentë vitet e ardhshme për ta hequr nga froni Pogačarin. Ben Healy mbajti sivjet dy ditë fanellën e verdhë dhe u shpall luftëtari i Turit të sivjetmë, u shqua në etapat malore ku shpesh ishte në grupin udhëheqës apo ishte i gatshëm për sulme dhe shkëputje.
Francezët që sivjet u mjaftuan me vetëm një fitore, shohin në Kevin Vauquelin një shpresë se një francez një ditë mund mbasi të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit, për herë të parë pas 40 vitesh nga legjendari Hinault. Përkundër pensionimit të fituesit të vitit 2019 dhe të tretit të vitit 2022, Geraint Thomasit, britanikët nuk duket të jenë në krizë ngase 22-vjeçi Onley në pjesëmarrjen e parë arriti që për pak t’i ikte podiumi. Ngase ish-Sky, tani Ineos Grenadiers, liderin e ri pas Wigginsit, Froomeit dhe Thomasit do ta gjejnë në Onley (nëse vendos ta braktis ekipin aktual Picnic PostNL.
Blerim Myftiu
