Shkup, 27 gusht – Deri tani për Qytetin e Shkupit zyrtarisht janë shtatë emra: gjashtë nga partitë politike dhe një kandidat i pavarur. VMRO-DPMNE garon me Orce Gjorgjievskin, LSDM me Kaja Shukovën, e Majta me Amar Mecinoviq, VLEN-i me Bashkim Bakiun, AKI me Skender Rexhepin, profesori i dizajnit, Aleksandar Rashkoviq, i cili do të garojë si kandidat i pavarur i mbështetur nga partia TMRO dhe së fundmi dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, si kandidat i pavarur nga platforma qytetare “Të pavarurit së bashku”.
Përveç këtyre kandidaturave priten edhe kandidatura të reja, nga iniciativa qytetare, pasi sipas udhëzimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve mjaftojnë vetëm dy firma për të dorëzuar një kandidaturë.
Afati për dorëzimin e kandidatëve skadon më 13 shtator në mesnatë. Rundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rundi i dytë është i sigurt për më 2 nëntor.
