Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike, Gani Geci, ka theksuar se asnjëherë vajza e tij deputete e rizgjedhur nuk do të mbështeste një koalicion të LDK-së me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në Debat Plus, Geci theksoi se një koalicion me PDK-në, edhe nëse do të miratohej nga kryesia, nuk do të kishte asnjë shans të kalonte.
Ndërsa për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), Geci theksoi se ky vendim është në duar të kryesisë së LDK-së.
Ai shtoi se nëse kryesia e partisë vendos për një koalicion me VV-në, atëherë ai do ta mbështeste, duke e cilësuar si të keqen më të vogël ndër dy mundësitë.
“Një koalicion me VV-në është në domenin e kryesisë. Nëse vendos kryesia, e votoj. Nëse nuk vendos, kurrë,” tha Geci, duke theksuar se për të, koalicioni me VV-në është më i pranueshëm se ai me PDK-në. /RTVD/