Një gjykatë në Hong Kong ka dënuar tre persona me deri në 18 vite burg për përfshirjen e tyre në tri ngjarje me bomba të ndodhura gjatë viteve 2019 dhe 2020.
Sipas mediave lokale, Lukas Ho, 41 vjeç, u dënua me 18 vite burg. Gjykatësi Johnny Chan tha se Ho kishte “ego të fryrë” dhe nuk tregoi asnjë pendesë, duke e cilësuar atë si “rrezik për sigurinë publike”.
Dy bashkëpunëtorët e tij, Lee Ka-pan dhe Cheung Ka-chun, u dënuan me nga 16 vite e 8 muaj burg secili. Gjykatësi vuri në dukje se ata ishin autorë për herë të parë dhe për këtë arsye përfituan ulje prej katër muajsh nga dënimi.
Të tre të pandehurit qëndruan të qetë gjatë shpalljes së vendimit dhe përshëndetën familjarët në sallë përpara se të shoqëroheshin nga rojat.
Sipas akuzës, grupi kishte lidhje me dy incidente, një bombë artizanale që shpërtheu në një tualet spitali në janar 2020 dhe disa pajisje shpërthyese të gjetura në një stacion treni muajin pasues. Fatmirësisht, asnjë person nuk u lëndua.
Hetimet treguan se synimi i grupit ishte të detyronte autoritetet të mbyllnin kufijtë e Hong Kongut në fillim të pandemisë së COVID-19, për të parandaluar përhapjen e virusit nga Kina kontinentale.
