I përfshirë në fushatë kundër Palestinës, Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj

nga D. V.

Ylli ndërkombëtar i muzikës pop me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka ndërprerë bashkëpunimin me menaxherin e saj prej vitesh, David Levy, pasi ky i fundit rezultoi të ishte përfshirë në një fushatë për të penguar pjesëmarrjen e një grupi muzikor pro-palestinez në Festivalin Glastonbury.

Mediat britanike raportuan se Levy ishte ndër nënshkruesit kryesorë të një letre “private dhe konfidenciale”, drejtuar themeluesit të festivalit, Michael Eavis, ku kërkohej që grupi irlandez Kneecap, i njohur për qëndrimet e tij pro-palestineze, të përjashtohej nga line-up-i i festivalit.

Pasi kjo letër u bë publike, Dua Lipa reagoi duke e shkarkuar menjëherë Levy-n nga roli i tij si menaxher. Një burim nga industria muzikore tha për mediat britanike se “Dua e bëri të qartë që David Levy nuk do të kishte më asnjë rol në prodhimin apo menaxhimin e muzikës së saj”. Burimi shtoi gjithashtu se këngëtarja është një zë i fuqishëm në mbështetje të të drejtave të palestinezëve dhe nuk toleron taktika të tilla përjashtuese.

Dua Lipa është shprehur edhe më herët në mënyrë të hapur në mbështetje të Palestinës. Në maj të vitit 2024, ajo e cilësoi sulmet izraelite në Gaza si “gjenocid” në një postim në Instagram, ku numëron mbi 88 milionë ndjekës. Po ashtu, gjatë festivalit Sunny Hill në Prishtinë këtë gusht, në ekranin gjigant u shfaq mesazhi “Liri për Palestinën”.

Pavarësisht presionit nga letra ku ishte përfshirë Levy, grupi Kneecap arriti të performojë në Glastonbury në korrik. Pas disa ankesave të izoluara, policia nisi një hetim të shkurtër, por e mbylli për mungesë provash. Grupi e cilësoi hetimin si “frikësim politik”.

Ndërkohë, që nga 7 tetori 2023, fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka rezultuar në vrasjen e rreth 65,300 palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke shkaktuar dënim ndërkombëtar dhe akuza për gjenocid.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More