Larry Summers tha dje në mbrëmje se ndihej i turpëruar për marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein – duke njoftuar se do të ndalonte të gjitha angazhimet publike – për të rindërtuar besimin dhe marrëdhëniet, sipas CNN.
Ish-presidenti i Universitetit të Harvardit – nga viti 2001 deri në vitin 2006 – shtoi se do të vazhdonte të jepte mësim ndërsa disa kritikë kanë bërë thirrje që universiteti të ndërpresë lidhjet me të.
Dokumentet e publikuara nga Kongresi tregojnë se ai ka shkëmbyer email-e me Epstein deri një ditë para arrestimit të tij, në vitin 2019.
Detaje të tjera të marrëdhënies së Summers me Epstein dolën javën e kaluar kur një komision i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi email-e – që tregonin korrespondencën personale të tyre për vite me radhë, përfshirë komente seksiste nga Summers dhe kërkimin e këshillave romantike nga Epstein.
“Nëse Summers kishte kaq pak aftësi për t’u distancuar nga Jeffrey Epstein – edhe pas veprave penale seksuale të Epstein të bëra publike – që përfshinin vajza të mitura – atëherë atij nuk mund t’i besohet të këshillojë politikanët, politikëbërësit dhe institucionet e vendit tonë – ose të mësojë një brez studentësh në Harvard ose kudo tjetër”, tha Elizabeth Warren, një ish-profesoreshë e Shkollës së Drejtësisë në Harvard dhe tani senatore e lartë demokrate nga Masaçusets.
Summers, i cili ka shërbyer si sekretar i Departamentit të Thesarit nën administratën e Bill Clinton dhe këshilltar ekonomik i Barack Obama, tha se do të fokusohej në rindërtimin e besimit të njerëzve më pranë tij.
Qendra për Progres Amerikan njoftoi se Summers nuk është më pjesë e saj. Ai vazhdon të jetë në bordin e OpenAI, megjithëse ende nuk dihet nëse do të mbetet në këtë pozicion.
