Ish-kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina u dënua sot me vdekje, në mungesë, për krime të kryera gjatë shtypjes së dhunshme të kryengritjes masive të vitit të kaluar që rrëzoi qeverinë e saj dhe i dha fund sundimit të saj 15-vjeçar.
Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve, një gjykatë e specializuar në Daka, njoftoi dënimin e saj për krime kundër njerëzimit, në një sallë gjyqi të mbushur me njerëz nën masa të rrepta sigurie.
Ish-kryeministrja, Hasina dha urdhrin e drejtpërdrejtë për të qëlluar mbi demonstruesit, sipas aktakuzës – dhe u shpall përgjegjëse për tre akuza për krime kundër njerëzimit për rolin e saj në vrasjen e protestuesve gjatë kryengritjes së vitit të kaluar.
Tribunali gjithashtu dha vendimin për dy nga ndihmësit e Hasina-s, të cilët u akuzuan gjithashtu për krime kundër njerëzimit.
Ish-ministri i Brendshëm Asaduzzaman Khan u dënua me vdekje dhe ish-shefi i policisë Abdullah Al Mamun u dënua me pesë vjet burg.
Hasina është në mërgim në Indi.
“Paneli i gjykatës prej tre gjyqtarësh vendosi për një dënim të vetëm, “dënimin me vdekje”, njoftoi Golam Murtoza Majumder, kryetari i panelit.
“Përpara njoftimit, Bangladeshi rriti sigurinë në të gjithë vendin për shkak të shpërthimeve të dhunës”, thanë zyrtarët.
Përpara vendimit, partia politike e Hasina-s, “Awami League”, tashmë e ndaluar, bëri thirrje për një izolim dyditor në të gjithë vendin.
Partia e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës – duke e konsideruar atë, politikisht të motivuar.
