Ish-ushtari i UÇK-së dorëzon kallëzim penal ndaj kryekuvendarit Dimal Basha

nga L. M

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pallashniku, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Ky kallëzim penal është dorëzuar për artikullin e publikuar në një revistë shkencore, në të cilën ishte bashkautor kryekuvendari Basha.

Pas dorëzimit të dokumentacionit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, avokati i tij, Gent Gjini, është deklaruar për media.

“Është pikërisht Dimal Basha që në një revistë shkencore për ngritjen e tij akadamike, ka publikuar informacione se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është financuar nga kartelet e drogës, gjë që për ne kjo ka qenë indinjuese dhe është Kodi Penal i cili e sanksionon dhe e dënon këtë gjuhë” – ka deklaruar Gjini më 26.09.2025.

Ai ka shtuar se Bashën e pret përgjegjësia penale. Gjini ka kërkuar që të merret revista shkencore në tërësi, pasi që Basha ka deklaruar se është fshirë kapitulli tij.

Sipas avokatit, kjo është ‘lojë fjalësh’ për të krijuar alibi që ta fshehë përgjegjësinë e tij.

Prokurorisë i është kërkuar që Bashës t’i ndalohet që të dalë me postime në rrjete sociale për këtë çështje, avokati Gjini i konsideron postimet e Bashës si ndërhyrje në hetime.

“Nëse ka pak fijë ndërgjegje, fije njerëzore, morale dhe etike, duhet të jep dorëheqjen nga ky moment” – ka deklaruar Gent Gjini.

Për këtë punim, ku Basha ishte bashkautor, raportuan mediat në Kosovë pasi ai u zgjodh kryetar i Kuvendit në gusht 2025, duke nxitur reagime të shumta lidhur me përmbajtjen.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, më 24.09.2025, tha se me kërkesën e tij, është larguar kapitulli që ai kishte shkruar dhe i është hequr emri nga autorësia në një punim të vitit 2012 që fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Basha ishte distancuar menjëherë, duke thënë se ai kishte shkruar vetëm Kapitullin 3 të punimit me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”. Kapitulli 3 fliste për islamin radikal në Evropën Juglindore.

Në njoftimin e publikuar në Facebook mbrëmjen e 24 shtatorit, Basha tha se ai gabimisht ishte listuar si bashkautor i punimit, pasi rikthesoi se ai kishte kontribuar vetëm për Kapitullin 3.

“Komiteti i Publikimeve i Revistës në fjalë sot më ka njoftuar që ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr”, shkroi Basha.

Raportimi për këtë punim, ku Basha ishte bashkautor, nxiti reagime të shumta nga shoqëria civile, politikanë dhe nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka kërkuar që Basha të shkarkohet nga posti i kryeparlamentarit.

Çfarë thuhet në punimin e vitit 2012?

Në këtë punim, ku Basha dhe Jana Arsovska ishin të listuar si bashkautor thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Në punim po ashtu thuhet se përveç se UÇK-ja ishte “financuar nga trafikantët e drogë”, mbështetja nuk përfshinte vetëm para.

“Por, trafikantët e drogës dërguan persona të armatosur për të luftuar së bashku me UÇK-në dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

“Teksa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë për t’u matur, ekzistojnë raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqishëm një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, u tha në këtë punim.

Sipas punimit, në Belgjikë bosi i “të ashtuquajturës mafi shqiptare la fishekë para dyerve të anëtarëve të diasporës shqiptare si kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata kishin paguar për mbështetjen e Qeverisë në hije dhe UÇK-në, në të vërtetë nuk ishin ‘vullnetare’”.

Punimi pretendon se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që ofronin banditët patriotë, që operonin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare sikurse Vendlindja Thërret”.

Në punim, lufta në Kosovë më 1998-99 vlerësohet si “konflikt etnik”, teksa aty pretendohet se agjencitë perëndimore të inteligjencës “shpesh mbyllën sytë ndaj bashkëpunimit mes krimit dhe politikës në Kosovë”.

“Që nga fillimi i viteve 1990, shumë ishin të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas konfliktit, UÇK-ja vetë u shpërbë formalisht, megjithatë shumë ish-komandantë të UÇK-së u përfshin në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi”, thuhet në këtë punim.

Agim Pllashniku, i cili e ka dorëzuar kallëzimin penal në gjykatë, ishte përfshirë në një incident më 25.07.2025, me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli. Përplasja e tyre u pasqyrua përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

I njëjti më 20.08.2025 ka protestuar para Kuvendit të Kosovës. Ai e ka akuzuar Faruk Mujkën më 20.08.2025, se e ka larguar padrejtësisht nga puna në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, pas incidentit me deputeten Pacolli, duke thënë se e ka larguar për shkaqe politike e jo për shkak se nuk ka respektuar orarin.

Me një jastëk në duar me para false brenda të cilat i gjuajti para Kuvendit akuzoi Mujkën për keqpërdorim të detyrës të 60 mijë eurove.

“I them Mujkës që nuk më kthen në punë për një muaj, ka me ia qitë krejt çka ka ba ai bë Ibër-Lepenc”- tha ai.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës Agim Pllashnikut. Sipas vendimit të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, të cilin e kishte publikuar avokati Gent Gjini, Pllashnikut i është ndërprerë marrëdhënia e punës në ditën e nënshkrimit të vendimit, më 31.07.2025.

“z.Agim Pllashniku i shkëputet marrëdhënia e punës me efekt të menjëhershëm nga data e nënshkrimit të vendimit. Me hyrjen në fuqi të këtij Vendimi shfuqizohet kontrata e punës më Nr. 02/1426 datë 30.04.2024’- shkruhet në vendimin i cili është firmosur nga kryeshefi ekzekutiv Faruk Mujka.

Pallashniku po ashtu, disa herë ka protestuar para Kuvendit të Kosovës, gjatë bllokadës në seancë konstituive, duke kërkuar zhbllokim të ngërçit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More