Izet Mexhiti nderon Joseph dhe Shirley DioGuardi me titullin “Qytetar Nderi” në Çair

nga Xh M

Shkup, 14 qershor – Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në komunën e Çairit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së RMV-së, Izet Mexhiti, ndau titullin “Qytetar Nderi” për dy figura të shquara dhe të dashura për shqiptarët kudo – Joseph dhe Shirley DioGuardi.

Ky vlerësim simbolik, por me rëndësi të thellë historike dhe emocionale, u bë si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të palëkundur në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

“Kur ne kishim më shumë varre se mikrofonë, ata folën,” tha zëvendëskryeministri Mexhiti në fjalën e tij. “Sot, Joseph dhe Shirley DioGuardi u shpallën qytetarë nderi në Çair, por për ne, ata kanë qenë tanët shumë më herët.”

Joseph DioGuardi, ish-kongresmen amerikan me rrënjë arbëreshe, ishte një nga zërat e parë që e çoi çështjen e Kosovës në Kongresin Amerikan, në një kohë kur shumë të tjerë heshtnin. Ai nuk e mësoi kauzën shqiptare, ai e trashëgoi, dhe e mbrojti me përkushtim, guxim dhe pa interes personal.

Ndërkohë, Shirley Cloyes DioGuardi nuk qëndroi në prapaskenë. Ajo vizitoi kampet e refugjatëve gjatë krizës në Kosovë, dëgjoi dëshmitarët e dhunës dhe spastrimit etnik, përpiloi raporte dhe bëri thirrje botës për drejtësi dhe ndërhyrje. Ajo u bë ura që lidhte shqiptarët me ndërkombëtarët, në një kohë kur zëri ynë nuk dëgjohej.

“Sot nuk i falënderuam. Ne i pranuam. Si tanët. Si pjesë e historisë sonë. Si gurë në themelet e lirisë që kemi sot,” përfundoi Mexhiti.

Titulli “Qytetar Nderi” në Çair është vetëm një simbol, por mesazhi i tij është i thellë: Vlerësimi i sinqertë për dy personalitete që, me zërin e tyre, ndihmuan të ndryshohet rrjedha e historisë shqiptare.

Faleminderit Joseph. Faleminderit Shirley. Nga sot – edhe zyrtarisht qytetarë të nderit në një truall që flet shqip, në Çair. Por përherë – në zemrën tonë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More