Shkup, 15 korrik – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot projektligjin për Medresenë “Isa Beu” në Shkup, duke zgjidhur një nga çështjet më të rëndësishme dhe të vonuara në fushën e arsimit fetar dhe kulturor në vend. Vendimi u mirëprit gjerësisht nga komuniteti, si një konfirmim i vullnetit politik për barazi dhe integrim.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti me këtë rast deklaroi, “Miratimi i projektligjit për Medresenë ‘Isa Beu’ është një hap historik, jo vetëm për komunitetin mysliman, por për gjithë shoqërinë tonë që synon drejtësi, përfshirje dhe barazi. Kjo është një fitore për të drejtat arsimore, për trashëgiminë tonë kulturore dhe për respektimin e pluralizmit fetar në shtetin tonë.”
“Për vite me radhë, ky institucion i rëndësishëm ka vepruar me përkushtim dhe cilësi, por me status të paqëndrueshëm ligjor. Tashmë, Medreseja ‘Isa Beu’ do të funksionojë në përputhje me të gjitha standardet shtetërore dhe kushtetuese të arsimit të mesëm.”
Medreseja “Isa Beu”, me seli në Kondovë dhe degë të shpërndara në disa qytete të vendit, ka një histori të gjatë në edukimin e gjeneratave të reja dhe në promovimin e bashkëjetesës, vlerave morale dhe respektit ndërfetar.
Mexhiti shtoi se Ky nuk është vetëm një akt ligjor, por një mesazh i qartë se shteti i njeh dhe i respekton të gjitha komunitetet në mënyrë të barabartë. Do të vazhdojmë të punojmë për të drejtat arsimore dhe kulturore të çdo qytetari.
Vendimi është përshëndetur edhe nga Bashkësia Fetare Islame dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët theksuan se ky është një hap drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.