Jamie Vardy në Spanjë? Anglezi në bisedime për transferimin befasues

nga D. V.

Jamie Vardy po kërkon një sfidë të re pas rënies së Leicester Cityt nga Liga Premier.

Pas 13 vitesh në klub, ku shënoi 200 gola në 500 paraqitje, sulmuesi veteran është lidhur me disa skuadra, përfshirë Wrexham, Wolves dhe ish-klubin e tij, Sheffield Wednesday. 

Gjithashtu, kanë qarkulluar zëra për oferta luksoze nga Arabia Saudite dhe MLS. Megjithatë, një nga lidhjet më të forta ka qenë me gjigantin spanjoll, Valencia. 

Që në muajin maj, klubi i La Ligas u përmend si i interesuar për Vardyn, me trajnerin Carlos Corberan që thuhej se e sheh ish-futbollistin e Anglisë si një përforcim ideal për sulmin. 

Gati dy muaj më vonë, Corberan vazhdon të jetë i interesuar për të eksploruar mundësinë e transferimit të Vardyt në ‘Mestalla’. 

Sipas GiveMeSport, diskutimet mes trajnerit të Valencias dhe drejtorit teknik të klubit janë në vazhdim për të përcaktuar se si do të përshtatet Vardy në sistemin e skuadrës dhe nëse mund të përballojnë pagën e tij. 

Trajneri spanjoll e njeh mirë aftësinë e Vardyt për të shënuar gola, pasi i ka parë paraqitjet e tij gjatë kohës që drejtonte Huddersfield Town dhe West Brom. 

Megjithatë, Corberan nuk e sheh Vardyn si titullar të rregullt, por si një lojtar që mund të sjellë ndikim si zëvendësues, dikush që bën diferencën në minutat e fundit të ndeshjes. 

Vardy, nga ana e tij, është i bindur se mund të vazhdojë të garojë në nivel të lartë. 

“Do të vazhdoj derisa këmbët të më tregojnë se duhet të ndalem. Këmbët më ndihen mirë. Po bëj atë që dua, atë që kam bërë që kur isha fëmijë, ndaj dua që kjo të zgjasë sa më shumë”, ka thënë anglezi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More