Shkup, 7 nëntor – Partia “Македонски концепт” (Koncepti Maqedonas), si pjesë e koalicionit qeverisës dhe forcë e theksuar e djathtë, ka dalë me qëndrim zyrtar për nevojën e një ristrukturimi të thellë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, duke propozuar reduktim të numrit të ministrive dhe bashkim të resorëve të ngjashëm në njësi më funksionale dhe më të përgjegjshme.
Në deklaratë thuhet se është koha që shteti të ndërtohet mbi parimin “më pak ministri, më shumë përgjegjësi”, duke i dhënë fund modelit të “qeverive të fryra” dhe administratës joproduktive që sipas tyre është trashëgimi e menaxhimit të majtë dhe komunist.
“Si parti autentikisht e djathtë, ne kërkojmë një qeveri të vogël, të fortë dhe efikase, ku çdo funksionar do të mbajë përgjegjësi reale për resorin e tij. Që nga viti 1945, Maqedonia nuk ka pasur një qeveri të vërtetë të djathtë në kuptimin esencial të fjalës. Është koha të ndryshojë kjo”, thuhet në reagim.
Sipas propozimit të “Македонски концепт”, do të bëhej bashkimi i disa ministrive për të arritur racionalizim të aparatit shtetëror:
Ministria e Drejtësisë, Vetëqeverisjes Lokale, Shoqërisë Informatike, Administratës dhe Komuniteteve Etnike të bashkohen në një të vetme – Ministrinë e Shërbimeve Shtetërore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria për Integrime Evropiane të bashkohen në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Evropiane.
Ministria e Mjedisit Jetësor të integrohet me Zemjodelinë, ndërsa Kultura të lidhet me Arsimin, sipas praktikave bashkëkohore evropiane.
Ky model, sipas partisë, do të ulë numrin e ministrave me të paktën 50%, duke rritur përgjegjësinë individuale të funksionarëve dhe duke kursyer miliona euro nga buxheti publik.
“Shteti duhet të jetë sistem që funksionon në shërbim të popullit, jo administratë që jeton mbi kurrizin e tij. Duhet të ndërtojmë një sistem që punon – jo një aparat që paraziton,” theksohet në dokument.
Në fund, partia njofton se do t’i paraqesë dokumentin konceptual “Model i ri i qeverisjes së djathtë” kryeministrit Hristijan Mickoski, partnerëve të koalicionit “Tvoja Makedonija” dhe institucioneve relevante, duke kërkuar mbështetje për një reformë të thellë institucionale dhe funksionale që do të krijojë një qeveri moderne, të përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve.
