Shkup, 4 korrik – Këshilli i prokurorëve publik në seancën e sotme vendosi të fusë në Regjistrin elektronik kombëtar të rregulloreve (ENER) vërejtje të tre neneve alternative të Propozim- ligjit për Këshill të PP-së me të cilën kryhet deprofesionalizimi.
Keti Petkova e cila është njëra nga anëtarët e Grupit punues për përgatitjen e Propozim ligjit për Këshillin e Prokurorëve publik, në seancën e sotme të 26-të i informoi anëtarët e Këshillit se me propozim të Qeverisë ka mbërritur një alternativë për deprofesionizimin e Këshillit të cilën ata e kundërshtuan në kuadër të grupit të punës, por një propozim i tillë tashmë është vendosur në REKRR (ENER).
“Ne e kundërshtuam propozimin, duke theksuar se një ndryshim i tillë i papritur nuk është i mundur pa një analizë më të detajuar për pasojat. Megjithatë, Qeveria insistoi që të vendosen tre nene alternative – Nenet 3, 7 dhe 12. Me propozimin nuk u pajtua Grupi i punës, por ky propozim i Ligjit është vendosur në ENER. Mendoj se si Këshill duhet të dalim me një konkluzë dhe të japim vërejtje se nuk duhet të pranohet ky deprofesionalizim”, deklaroi Petkova.
Kryetarja e Këshillit të PP-së, Dushica Dimitrieska e cila gjithashtu është anëtare e Grupit punues për përgatitjen e Propozim Ligjit për Këshillin e PP-së, tha se pjesa më e madhe e anëtarëve të Grupit të punës, përveç nga Ministria e Drejtësisë, kërkuan që të vendoset se këto alternativa në Propozim ligj nuk janë pjesë e Grupit të punës.
“Nuk jemi kundër asgjëje, por mendoj se vetëm me tre nene nuk realizohet një reformë e qëndrueshme. Kërkojmë një zgjidhje ligjore që do të jetë e zbatueshme dhe jo që do të shkaktojë konfuzion”, deklaroi Dimitrieska.
Anëtari i Këshillit të PP-së, Ardian Demiri, në debatin mbi propozimin në seancën e sotme, tha se megjithëse e ka shqyrtuar pak propozimin, mendon se ka edhe momente të tjera që janë të rëndësishme dhe duhet të reagohet.
“Një momet është se lejohet që kandidatët të zgjidhen nga Kuvendi përmes një mandati. Momenti tjetër është iniciativa për ndërprerjen e mandatit të një anëtari të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë duke i dhënë kështu shumë pushtet Prokurorit publik të shtetit për intervenim. Ky është mendimi im dhe mendoj se duhet të reagojmë edhe për këtë”, tha Demiri.
Propozim Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Prokurorëve publik në ENER është vendosur më 20 maj të këtij viti dhe ende është i hapur për komente.

Me nenin alternativ 3, hiqet paragrafi 4 i cili thotë se “Funksioni i anëtarit të Këshillit është në mospajtim me anëtarësimin në një parti politike ose me ushtrimin e një funksioni tjetër publik ose profesioni”, ndërsa alternativa e propozuar e Nenit 7 parashikon fshirjen e paragrafit tre të nenit i cila thotë “Për anëtarët e zgjedhur të Këshillit nga radhët e prokurorëve publik, gjatë mandatit të tyre në Këshill, pezullohet funksioni i prokurorit publik”. Neni 12 lidhet me rastet e përjashtimit të një anëtari të Këshillit.
