Kina do të prezantojë një kategori të re vizash për talentet e reja të shkencës dhe teknologjisë, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme e vendit.
“Për të nxitur shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes profesionistëve kinezë dhe atyre të vendeve të tjera, Kina do të shtojë një vizë K në kategoritë e saj të zakonshme të vizave”, tha Guo Jiakun, zëdhënës i ministrisë.
Guo tha se ambasadat dhe konsullatat kineze do të publikojnë së shpejti informacione specifike lidhur me aplikimet për vizën K.
Prezantimi i kategorisë së re të vizave, u njoftua në gusht pas një vendimi nga Këshilli i Shtetit.
Aplikuesit për këtë vizë duhet të plotësojnë kualifikimet dhe kërkesat e përcaktuara nga autoritetet dhe të paraqesin dokumentacionin mbështetës.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.
Krahasuar me 12 llojet e vizave të zakonshme ekzistuese, vizat K do t’u ofrojnë më shumë lehtësi mbajtësve për sa i përket numrit të hyrjeve të lejuara, periudhës së vlefshmërisë dhe kohëzgjatjes së qëndrimit.
Pas hyrjes në Kinë, mbajtësit e vizave K mund të angazhohen në shkëmbime në fusha si arsimi, kultura, shkenca dhe teknologjia, si dhe aktivitetet përkatëse sipërmarrëse dhe biznesi.
Përveç moshës specifike, sfondit arsimor dhe kërkesave të përvojës në punë, aplikimet për viza K nuk kërkojnë që një punëdhënës ose institut të lëshojë një ftesë, ndaj procesi i aplikimit do të jetë gjithashtu më i efektshëm.
Vendimi vjen ndërsa Kina vitet e fundit vazhdon të thjeshtojë rregullat e vizave për të nxitur shkëmbimet ndërkombëtare. Që nga fundi i korrikut, Kina ka prezantuar politikat për heqjen e njëanshme të vizave ose heqjen reciproke të vizave me 75 vende të tjera.
