Kina e BE-ja synojnë thellimin e bashkëpunimit dhe përgjigje të përbashkët ndaj sfidave globale

nga V.E.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u takua të mërkurën në Bruksel me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi. Të dy palët u shprehën të gatishme të thellojnë bashkëpunimin dhe të përballojnë së bashku sfidat globale.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, vuri në dukje se ky vit shënon si 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Bashkimit Evropian (BE), ashtu edhe 80-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara. Sa më kompleks dhe i vështirë të bëhet mjedisi ndërkombëtar, aq më shumë Kina e BE-ja, si dy qytetërime të mëdha dhe forca të mëdha, duhet të shtojnë komunikimin, të rrisin besimin e ndërsjellë, të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të shërbejnë si forca të qëndrueshmërisë e të sigurisë globale, theksoi ai.

Duke e përshkruar takimin e ardhshëm të udhëheqësve Kinë-BE si një ngjarje të rëndësishme që zhvillohet në një moment kritik, Wang tha se Kina pret të punojë me BE-në për të përmbledhur përvojën e çmuar dhe njohuritë e rëndësishme të fituara nga 50 vjetët e shkuar të marrëdhënieve dypalëshë dhe për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të dialogut e bashkëpunimit për 50 vjetët e ardhshëm, duke i dërguar botës një sinjal të qartë e konstruktiv.

Ai theksoi gjithashtu që Kina e ka përkrahur gjithmonë integrimin evropian dhe u bëri thirrje të dyja palëve të mbështesin multilateralizmin dhe tregtinë e lirë, të mbrojnë rregullat e rendin ndërkombëtar, të promovojnë zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe të bashkohen në trajtimin e sfidave globale, si ndryshimi i klimës.

Wang gjithashtu nënvizoi se pala kineze mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit me cilësi të lartë e hapjes me nivel të lartë dhe shprehu gatishmërinë e Kinës për të punuar me BE-në për të ruajtur statusin si partnerë, për të thelluar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, për të zgjeruar hapjen dypalëshe dhe për të trajtuar siç duhet dallimet nëpërmjet konsultimeve, për të arritur përfitime të ndërsjella.

Nga ana e saj, Ursula von der Leyen vuri në dukje që takimi i ardhshëm i udhëheqësve BE-Kinë do të jetë mundësia më e mirë për të dyja palët për të kremtuar së bashku 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Duke theksuar angazhimin e BE-së për të zhvilluar lidhje të qëndrueshme e konstruktive me Kinën, si edhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me përfitime të ndërsjella, ajo tha se po pret me padurim të zhvillojë diskutime të thella me udhëheqësit kinezë mbi çështje me interes të ndërsjellë, duke treguar përkushtimin dhe përgjegjësinë e të dyja palëve për të thelluar bashkëpunimin dhe për t’u përballur së bashku me sfidat globale, si ndryshimi i klimës, duke i dërguar kështu një sinjal të fortë botës.

Von der Leyen përsëriti gjithashtu se BE-ja do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së “një Kine”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More