Kina ka shprehur zhgënjim e keqardhje të thellë për përdorimin e përsëritur të fuqisë së vetos nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, çka ka penguar përgjigjet efektive ndërkombëtare ndaj krizës në Gazë.
Duke folur në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi përdorimin e vetos të mërkurën, Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, theksoi se vetoja e ShBA-së ndaj projektrezolutës së 18 shtatorit në lidhje me Gazën ishte një pengesë e madhe.
“Po të mos ishte abuzimi i përsëritur i vetos nga Shtetet e Bashkuara, përgjigjja e Këshillit të Sigurimit ndaj krizës në Gazë nuk do të kishte qenë kaq e papërshtatshme,” vuri në dukje Fu.
Sipas tij, gati dy vjet pas fillimit të konfliktit në Gazë, situata ka çuar në një numër alarmues viktimash civile dhe në një katastrofë të rëndë humanitare, “duke minuar thelbin e ndërgjegjes njerëzore dhe sundimin ndërkombëtar të ligjit”. Fu theksoi se thirrjet ndërkombëtare për armëpushim janë bllokuar vazhdimisht nga ShBA-ja, që vazhdon të mbrojë Izraelin.
Ambasadori kinez i kërkoi Izraelit të ndalojë menjëherë të gjitha operacionet ushtarake në Gazë e të braktisë planet për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke theksuar se mjetet ushtarake nuk janë rruga drejt paqes së qëndrueshme.
Fu përsëriti më tej angazhimin e Kinës për zgjidhjen me dy shtete si e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të zgjidhur çështjen palestineze. Si Gaza, ashtu edhe Bregu Perëndimor, tha ai, mbeten pjesë integrale të territorit palestinez, dhe qeverisja pas konfliktit duhet të respektojë parimin e qeverisjes së Palestinës nga palestinezët
