Shkup, 3 korrik – Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, sot deklaroi se numri i ankesave nga familjet e të lënduarve në zjarrin në Koçan është ulur ndjeshëm dhe se një pjesë e madhe e kujdesit shëndetësor të të lënduarve mbulohet nga shteti, jo nga donacionet.
“Disa nga kërkesat nuk kanë të bëjnë me ilaçet, por kanë të bëjnë me raportet mjekësore të cilat tashmë janë jashtë ligjit, dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë jashtë ligjit. Lidhur me raportet mjekësore, disa prej tyre kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e raporteve mjekësore për shoqëruesit dhe sa shoqërues mund të përdorin raport mjekësor, sepse ligji ynë në thelb parashikon një shoqërues dhe një kohë të kufizuar. Megjithatë, ne po kërkojmë një zgjidhje edhe për këtë sepse jemi të vetëdijshëm se ende kemi pacientë të lënduar në spital”, tha Klekovski në një deklaratë pas takimit të sotëm me mediat, në të cilin dha një pasqyrë të punës së bërë gjatë vitit të kaluar.
Lidhur me gjendjen e pacientes në “Sistina”, Klekovski informoi se ajo është ende në kujdes intensiv, por se gjendja e saj është stabile. Pacientja e dytë, e cila gjithashtu është në “Sistina”, është ende në kujdes intensiv për shkak të infeksioneve të përsëritura, pavarësisht se po trajtohet me antibiotikët më bashkëkohor.
Në zjarrin në diskoteken “Puls” në Koçan humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan. Të lënduarit u dërguan për trajtim jashtë vendit pas trajtimit fillestar, dhe pas kthimit të tyre në vend, ata tani janë në proces rehabilitimi.
