Shkup, 17 qershor – Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në seancën e sotme të 4-të pa praninë e deputetëve të shumicës me pesë vota “për”, pa asnjë të përmbajtur ose kundër, solli vendim për mbajtjen e Debatit mbikëqyrës me temën “Lëshimet e organeve shtetërore që kontribuuan në tragjedinë në Koçan më 16 mars 2025”.
Në seancën e mëparshme më 6 qershor të këtij viti në Komisionin anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve nuk u pranua propozimi i Dimitar Apasievit për të plotësuar rendin e ditës së seancës me debat mbikëqyrës mbi tragjedinë në Koçan. Arsyeja për mospranimin e këtij propozimi, siç theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, është se tashmë është në rrjedhë iniciativa për debat mbi tragjedinë në Koçan e cila është dorëzuar në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, por pritet që të përfundojë hetimi dhe të publikohet aktakuza, para se tema të mund të debatohet në Parlament.
Kryetari i Komisionit, Dimitar Apasiev i cili është edhe bartës i iniciativës, pavarësisht indikacioneve procedurale të disa anëtarëve të Komisionit se po shkelet Rregullorja, duke iu referuar nenit 214, paragrafi 4 të Rregullores së punës së Kuvendit e hodhi në votim Iniciativën për debat mbikëqyrës në seancën e sotme pa votim paraprak për caktimin e rendit të ditës.
“Konstatoj se komisioni miratoi vendimin për të organizuar debat mbikëqyrës me të paktën një të tretën e anëtarëve, siç kërkon Rregullorja. Ju informoj se data dhe ora e seancës dhe lista e pjesëmarrësve do të caktohen në mënyrë shtesë në përputhje me hapat për mbajtjen e seancave mbikëqyrëse”, deklaroi Apasiev.
Deputeti Goran Misovski nga LSDM reagoi proceduralisht se ka marrë pjesë në miratimin e Rregullores së re dhe se ajo duhet të respektohet, duke theksuar se nuk mund të votohet për të mbajtur debat mbikëqyrës para se të votohet për ta futur atë në rend të ditës.
“A po bëjmë një shërbim të keq? U desh të votonim për rendin e ditës dhe pastaj t’i bindnim 120 deputetët”, tha Misovski.
Deputeti Sali Murat, nga Lëvizja e turqve, deklaroi se si grup parlamentar “Fronti Evropian” ka një mesazh të qartë se viktimat dhe familjet e tyre nuk duhet të luftojnë vetëm në rrugën drejt së vërtetës, transparencës dhe përgjegjësisë, duke theksuar se në kuadër të Komisionit për sistemin politik ata tashmë kanë një iniciativë të dytë për të mbajtur debat mbikëqyrës i cili është në fazën finale dhe në rrjedhë është ftesa për pjesëmarrësit.
Deputetja Jovanka Trençevska nga LSDM, tha se si grup parlamentar besojnë se duhet të diskutohen të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga autoritetet në lidhje me hetimin e tragjedisë në Koçan, por se nuk duhet të shkelet Rregullorja, ndërkaq, deputeti Rexhep Ismail nga E Majta tha se rëndësia e mbajtjes së debatit mbikëqyrës është edhe për shkak të faktit se tani, “tre muaj pas tragjedisë, institucionet po veprojnë me indiferencë ndaj disa lëshimeve dhe veprimeve të paligjshme”.