Konfirmohet arrestimi i një veterani në Serbi

nga L. M

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

Më herët gjatë 25 nëntorit, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.

Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.

Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More