Kosova reagon pasi Gjykata Speciale pranoi si prova, dokumente të dorëzuara nga Serbia

nga D. V.

Prej më shumë se katër vjet e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara duke ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se Gjykata Speciale po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë.

“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë”, ka shkruar ai në Facebook.

I pari i PDK-së mbështet protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së për datën 7 gusht nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se me shqetësim kanë marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale, dokumentet e dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën”.

“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri. Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë. Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

“Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin. Slobodan Millosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme”, ka nënvizuar ministrja Haxhiu.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /KosovaPres/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More