Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar shtypja e fletëvotimeve të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në njoftimin e KQZ’së thuhet se shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.
“Ky proces po zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, me pjesëmarrjen e anëtarëve Alban Krasniqi e Muharrem Nitaj, si dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së. Gjithashtu, përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
KQZ ka sqaruar se në fazën e parë janë duke u shtypur fletëvotimet për votimin jashtë Kosovës.