Kris Jenner është vënë në qendër të vëmendjes pas publikimit të disa fotografive të reja, ku ndjekësit kanë vënë në dyshim natyrshmërinë e pamjes së saj dhe kanë aluduar për përdorim të fotoshopit – pas një ndërhyrjeje të fshehtë në fytyrë.
Përfaqësuesit e saj konfirmuan se ajo ka kryer një procedurë estetike, por nuk zbuluan detaje specifike. “Mund të konfirmojmë që Dr. Steven Levine është mjeku që ka kryer procedurën e fundit të Kris Jenner,” thanë për Page Six javën e kaluar, pas paraqitjes së saj në Paris.
69-vjeçarja tërhoqi vëmendjen me pamjen e saj të re, teksa mbështeti vajzën e saj Kim Kardashian (44 vjeç) në kryeqytetin francez, gjatë seancës gjyqësore që lidhej me grabitjen traumatike që Kim përjetoi në Paris më 2016, shkruan The Sun.

Por Kris vazhdoi të shkëlqejë edhe gjatë festës së beqarisë së Lauren Sanchez në Paris, ku morën pjesë edhe motrat Kardashian.
Pas rikthimit në SHBA, ajo ishte e pranishme në lansimin e bashkëpunimit të ri të Kylie Jenner me markën Khy X Dilara, ku qëndroi pranë vajzës së saj më të vogël për të treguar mbështetjen.

Në Instagram, Kris publikoi disa fotografi me Khloe Kardashian, të veshura me xhup dhe pantallona xhins të errëta nga koleksioni. Por vëmendjen më të madhe e mori fytyra e saj – pa asnjë rrudhë, pa shenja dhe me lëkurë të lëmuar.
Megjithatë, një fotografi ku shfaqet profili anësor i saj zbuloi një detaj të vogël që ndjekësit e quajtën si “gabim në fotoshop”. Për shkak të një vije të parregullt nën mjekër, një ndjekës komentoi: “Kris, po na mahnit me qafën dhe nofullën tënde të re!”.

Të tjerë komentuan se ajo po i ngjan gjithnjë e më shumë Kim-it: “Duket si Kim, o Zot!”.
Pamja rinore e Kris-it ka befasuar shumë fansa, disa prej të cilëve e kanë lavdëruar për transformimin: “Është çmenduri kjo pamje, është në rregull të plaket njeriu,” komentoi një ndjekëse. Një tjetër shtoi: “E mrekullueshme! Duket kaq e re dhe fantastike! Po e kthen kohën mbrapa…”. Ndërsa dikush tjetër shkroi: “Rasti kurioz i Benjamin Button”.

Kris më herët ka pranuar se ka bërë botoks, mbushës, ndërhyrje në gjoks dhe një ‘facelift’ që daton nga viti 2011, para dasmës së Kim me Kanye West.
Në një intervistë për People më 2019, Kris tha: “Për mua është një paketë e plotë. Dhe kush nuk e do botoksin? Mua më ka funksionuar mrekullisht. Rutina ime është shumë e thjeshtë, dhe gjithmonë ka qenë e tillë: një masazh, një trajtim i mirë fytyre, një manikyr dhe pak botoks – jam gati për çdo gjë. Jam mjaft tradicionale. Mjafton të jem e pastër dhe e freskët, dhe ndihem për mrekulli”.

Vitin e kaluar, Kris u lavdërua për postimin e disa fotografive të pa filtruara me partnerin e saj, Corey Gamble.

Në ato foto, profili i saj anësor shfaqte rrudhat natyrale, vijat e theksuara rreth buzëve dhe një nofull më të butë – ndryshe nga pamja e përpunuar që zakonisht shfaq në rrjete sociale.
Fansat u habitën nga pamja e saj e papërpunuar, duke qenë se Kris zakonisht përdor filtra të shumtë për të modifikuar fytyrën në foto.