Interi po shqyrton mundësinë e përfshirjes së Kristjan Asllanit në një marrëveshje të mundshme për të transferuar mesfushorin Ederson nga Atalanta. Zikaltërit janë të interesuar për brazilianin, por çmimi i lartë i kërkuar po vështirëson negociatat.
Atalanta ka vendosur një vlerë prej 60 milionë eurosh për Ederson, një shumë që Interi e konsideron të ekzagjeruar. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit po mendojnë të përfshijnë Asllanin në marrëveshje, për të ulur ndjeshëm koston.
Mesfushori shqiptar është një profil që pëlqehet prej kohësh nga Atalanta, që e ka ndjekur që në periudhën kur ai luante për Empolin dhe vlerësimi i tyre për lojtarin nuk është zbehur as sot, çka e bën atë një kartë të rëndësishme në këto negociata.
Ederson është gjithashtu në radarët e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Manchester United dhe Manchester City, ndaj Interi kërkon të veprojë me shpejtësi për të mbyllur një marrëveshje përpara se konkurrenca të ashpërsohet më tej.
Përveç Atalantës, interes për Asllanin kanë shfaqur edhe Bologna dhe Fiorentina, të cilat po kërkojnë të përforcojnë mesfushën dhe e shohin shqiptarin si një mundësi cilësore dhe me potencial afatgjatë.
Nga ana tjetër, trajneri i ri i Interit, Chivu , duket se preferon profilin e Iliçit të Torinos, por drejtuesit janë më të prirur të ndjekin pistën Ederson, duke shpresuar se përfshirja e Asllanit do të zbusë kërkesat financiare të Atalantës.
E ardhmja e Asllanit mbetet e hapur, ndërsa Interi përpiqet të gjejë balancën e duhur mes kërkesave për përforcime dhe ruajtjes së ekuilibrit financiar në këtë merkato të nxehtë vere.