Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka ngushëlluar familjen Petrovci, miqtë dhe kolegët e të ndjerit, dashamirët e artit dhe mbarë komunitetin artistik, për vdekjen e aktorit Enver Petrovci.
“Me dhembje të thellë pranova lajmin për largimin në amshim të aktorit të mirënjohur, Enver Petrovci.
Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza.
Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore.
Me këtë rast, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komunitetit artistik. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Basha.