Shkup, 25 tetor – Kandidati për kryetar të Komunës Qendër nga lëvizja ZNAM, Miroslav Labudoviq, premton rindërtimin e të gjitha fasadave të ndërtesave të vjetra në këtë komunë. Ai thotë se gjithçka do të realizohet me ndihmën e Komunës, dhe qëllimi është që përveç pamjes urbane të re, ndërtesat të fitojnë edhe mbrojtje energjetike, gjë që sipas tij do të çojë në ulje të ndjeshme të faturave të energjisë elektrike për qytetarët.
“Përmes granteve nga Komuna do t’i rindërtojmë plotësisht fasadat e ndërtesave dhe do t’i bëjmë ato me efikasitet energjetik. Çdo ndërtesë është pjesë e identitetit dhe shpirtit të komunës sonë. Prandaj, fasadat e vjetra do të marrin një pamje të re, moderne dhe dinjitoze, e cila jo vetëm që do ta zbukurojë Qendrën, por do t’u sjellë qytetarëve fatura për ngrohje 70 për qind më të ulëta dhe mbrojtje të shkëlqyer energjetike. Përveç kësaj, planifikojmë vendosjen e paneleve fotovoltaike dhe modernizimin e stacioneve të ujit në ndërtesa me qëllim mbrojtjen e energjisë. Qytetarët e Qendrës meritojnë një jetë të bukur, të sigurt dhe dinjitoze. Me këto rindërtime, do ta ruajmë shpirtin e ndërtesave tona, dhe njëkohësisht do t’i japim energji të re hapësirës ku jetojmë”, tha Miroslav Labudoviq, kandidat për kryetar të Komunës Qendër.
