Lajm i mirë/ Prindërit do mund të kontrollojnë përmbajtjen në ChatGPT, masa mbrojtëse për adoleshentët nga OpenAI

nga Xh M

Shkup, 29 shtator – OpenAI ka nisur të hënën vendosjen e kontrolleve prindërore për ChatGPT në aplikacionet e saj web dhe mobile, pas një padie nga prindërit e një adoleshenti që kreu vetëvrasje, të cilët pretenduan se chatbot-i kishte ofruar këshilla për metoda të vetëdëmtimit.

Sipas rregullave të reja, prindërit dhe adoleshentët mund të aktivizojnë së bashku masa më të rrepta mbrojtëse duke lidhur llogaritë e tyre, ku njëri dërgon ftesën dhe kontrolli aktivizohet vetëm pasi tjetri e pranon.

OpenAI ka njoftuar në rrjetin social X se prindërit tani mund të kufizojnë ekspozimin ndaj përmbajtjes së ndjeshme, të kontrollojnë nëse ChatGPT mban mend bisedat e mëparshme dhe të vendosin nëse komunikimet përdoren për trajnimin e modeleve. Ata gjithashtu mund të vendosin “orë qetësie” kur qasja në biseda është e bllokuar dhe të çaktivizojnë mënyrën e zërit, si dhe gjenerimin dhe redaktimin e imazheve.

Megjithatë, prindërit nuk do të kenë qasje në transkriptet e bisedave të adoleshentëve. Në raste të rralla, kur sistemet dhe rishikuesit e trajnuar zbulojnë shenja të një rreziku serioz për sigurinë, prindërit mund të informohen, por vetëm me informacionin minimal të nevojshëm për mbrojtjen e fëmijës. Ata gjithashtu do të njoftohen nëse një minoren vendos të ndërpresë lidhjen me llogarinë e tij.

OpenAI, me rreth 700 milionë përdorues aktivë në javë, ka njoftuar zhvillimin e një sistemi për parashikimin e moshës së përdoruesve, në mënyrë që ChatGPT të mund të aplikojë automatikisht cilësimet e përshtatura për adoleshentët nën 18 vjeç.

Kjo vendimmarrje vjen ndërsa rregullatorët amerikanë po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë kompanitë e inteligjencës artificiale dhe ndikimet e tyre potencialisht negative mbi fëmijët. Reuters raportoi në gusht se Meta kishte lejuar chatbot-et të zhvillonin biseda “të flirtuara” me minorenët, duke shkaktuar kritika të shumta.

Meta ka prezantuar masat e saj mbrojtëse muajin e kaluar, duke përfshirë ndalimin e bisedave për vetëdëmtim ose vetëvrasje me fëmijët, si dhe kufizime të përkohshme të qasjes në disa karaktere të inteligjencës artificiale.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More